Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump i kombinoi diskutimet me Iranin me një sulm ndaj rivalëve demokratë dhe disa republikanëve në një postim në Truth Social.
Presidenti amerikan akuzoi ligjvënësit e opozitës amerikane se po shkaktojnë “përçarje dhe humbje” me atë që po përhapin rreth negociatave me Teheranin, ndërsa e bëri të qartë se nëse marrëveshja nuk është “e shkëlqyer dhe thelbësore” për Uashingtonin, atëherë “nuk do të ketë marrëveshje”.
“Qesh me të gjithë ‘Dumokratët’ (demokratët budallenj), RINOS-ët (të ashtuquajturit republikanë) dhe budallenjtë që nuk dinë asgjë për marrëveshjen e mundshme që po bëj me Iranin, gjëra që as nuk janë diskutuar ende, njerëz të dobët dhe joefektivë si senatori i dështuar Tom Tillis (i cili së shpejti do të largohet nga detyra!), Bill Cassidy, i cili sapo pësoi një humbje dërrmuese në zgjedhjet paraprake, përfaqësuesin vërtet të mjerë Thomas Massie, një mashtrues i madh që humbi me një bindje të thellë ndaj një patrioti të madh amerikan (të mbështetur nga “TRUMP”) pasi tregoi pabesi të madhe ndaj Partisë së tij (dhe vendit të tij!), dhe pothuajse të gjithë demokratët, njerëz që kanë humbur plotësisht rrugën e tyre, duke mbështetur vazhdimisht politika të këqija dhe kandidatë edhe më të këqij, por janë vazhdimisht kritikë ndaj çdo fitoreje fantastike që kam. Këta njerëz duhet të shkojnë në shtëpi dhe të pushojnë, ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse krijojnë përçarje dhe humbje. Me fjalë të tjera, ata janë humbës!” tha fillimisht presidenti amerikan në postimin e tij.
Më tej, ai shprehu besimin se marrëveshja me Iranin do të jetë e shkëlqyer, ndërsa sulmoi qeverisjen e Barack Obamës, duke thënë se me marrëveshjen e tij, e çoi Iranin drejt krijimit të një arme bërthamore.
“Marrëveshja me Iranin ose do të jetë e shkëlqyer dhe thelbësore, ose nuk do të ketë asnjë marrëveshje. Do të jetë krejt e kundërta e JCPOA-s katastrofike (marrëveshjes bërthamore) të negociuar nga administrata e dështuar e Obamës, e cila ishte një rrugë e drejtpërdrejtë dhe e hapur drejt një arme bërthamore për Iranin. Jo, unë nuk bëj marrëveshje të tilla!”, shtoi Trump.




