Shtetformimi maqedonas dhe ingjinjeringu politik ndaj shqiptarëve

Në periudhën e ASNOM-it, shqiptarët u përjashtuan sistematikisht nga procesi real i
shtetformimit, ndërsa pas pavarësisë u përballën me margjinalizim institucional. Faza
aktuale rrezikon t’i reduktojë ata në një subjekt formal, pa peshë reale kushtetuese.
Pikërisht këtu qëndron thelbi i projektit që shumë shqiptarë e perceptojnë si “Maqedoni
Evropiane pa shqiptarët”. Çdo përpjekje për relativizimin e statusit kushtetues të
shqiptarëve në emër të “kompromiseve evropiane” rrezikon të prodhojë jo integrim, por
krizë të re

Nga Prof.dr Skender Asani
Në historinë bashkëkohore të Ballkanit, vështirë se mund të gjendet një paradoks politik dhe
historik aq kompleks sa ai i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut: një popull që, në momentet
vendimtare të formësimit të shtetit, luajti rol thelbësor në mbijetesën dhe legjitimitetin e tij,
ndërkohë që paralelisht u përball me procese sistematike të margjinalizimit, asimilimit gradual
dhe zbehjes së identitetit të tij politik, kulturor dhe gjuhësor. Historia e Evropës Lindore njeh
shumë raste të “spastrimit të heshtur” të realizuar përmes manipulimeve demografike, juridike
dhe kulturore, ndërsa rasti i shqiptarëve në Maqedoni përfaqëson një nga format më të
ndërlikuara të këtij fenomeni, të maskuar nën retorikën e stabilitetit shtetëror, integrimit euro-
atlantik dhe ruajtjes së unitetit kombëtar.
Ky realitet historik duhet të kuptohet përmes tri fazave themelore të shtetformimit maqedonas:
periudha e ASNOM-it dhe krijimi i Republikës Federale të Maqedonisë, periudha e pavarësisë
pas shpërbërjes së Jugosllavisë, si dhe etapa bashkëkohore e rikonfigurimit të shtetit përmes
diskursit të “Maqedonisë Evropiane”. Në secilën prej këtyre fazave, shqiptarët fillimisht u
përdorën si element legjitimues i shtetit, për t’u trajtuar më pas si pengesë ndaj homogjenizimit
kombëtar të tij.
Në fazën e parë, me formimin e Maqedonisë së ASNOM-it, u shpall një shtet kombëtar
maqedonas mbi një realitet demografik që nuk përputhej me idenë e homogjenitetit etnik mbi të

cilin ndërtohej narrativa shtetformuese. Përfshirja e shqiptarëve në strukturat e para shtetërore
nuk buronte nga një ideologji autentike multietnike, por nga nevoja politike për të siguruar
legjitimitetin federal në Jugosllavinë e pasluftës. Në këtë kontekst historik, Nexhat Agolli,
ministër në administratën e parë federale, u shfaq si figurë paradigmatike që e kuptonte
shtetformimin si proces të barazisë reale ndërmjet popujve përbërës. Përmes angazhimit për
hapjen e shkollave shqipe, institucionalizimin e gjuhës shqipe në administratë, themelimin e
gazetës Flaka e Vëllazërimit dhe përfshirjen e shqipes në radio-televizionin shtetëror, ai
promovoi një model federal ku shqiptarët do të njiheshin si popull shtetformues dhe jo si
komunitet i toleruar.
Megjithatë, ky vizion binte ndesh me projektin e homogjenizimit etnik të autoriteteve të reja
maqedonase. Eliminimi politik i Nexhat Agollit dhe përndjekja e Qemal Agollit nuk
përfaqësonin vetëm sulm ndaj individëve, por shkatërrimin e konceptit të shqiptarëve si
bashkëthemelues të shtetit. Zhdukja e figurave shqiptare me orientim shtetformues hapi rrugën
për realizimin e projektit të ASNOM-it përmes konsolidimit artificial të shumicës maqedonase
me anë të proceseve të ndërlikuara të inxhinierisë demografike dhe identitare.
Në këtë periudhë, shqiptarët ortodoksë të Rekës, Ohrit, Manastirit, Prilepit dhe Krushevës iu
nënshtruan proceseve të konvertimit identitar në maqedonas, ndërsa shqiptarët katolikë u
përballën me presione të ndryshme kulturore dhe institucionale me synim asimilimin. Ata që
refuzonin ndryshimin identitar shpesh detyroheshin të shpërnguleshin drejt Kroacisë, Kosovës
dhe rajoneve të tjera. Paralelisht, elita kombëtare-demokratike shqiptare me orientim perëndimor
u godit sistematikisht. Burgosjet dhe eliminimet e vitit 1946 kundër Lëvizjes Nacional
Demokratike Shqiptare synonin shuarjen e një alternative politike që e konsideronte identitetin
shqiptar pjesë integrale të qytetërimit perëndimor evropian.
Për të fragmentarizuar më tej identitetin shqiptar, u krijuan kategori artificiale identitare si
“maqedonas të besimit mysliman”, ndërsa slogani propagandistik “turk alhamdurila” u përdor
për të transformuar administrativisht shqiptarët në turq. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë
shqiptare emigroi drejt Turqisë si pasojë e presioneve ekonomike, administrative dhe politikave
të vizave. Edhe fatkeqësitë natyrore u instrumentalizuan politikisht. Tërmeti i Shkupit i vitit 1963
nuk mbeti vetëm tragjedi humanitare, por u shndërrua në moment kyç për rikonfigurimin
demografik të qytetit dhe shtetit. Mbi 20 mijë shqiptarë u zhvendosën nga Shkupi drejt Kosovës,

ndërsa shumë të tjerë emigruan në Turqi dhe Kroaci. Synimi themelor i këtyre proceseve ishte
dobësimi i gjuhës shqipe si bosht i identitetit kolektiv shqiptar dhe forcimi gradual i shumicës
maqedonase në funksion të projektit kombëtar të shpallur nga ASNOM-i.
Faza e dytë fillon me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe shpalljen e pavarësisë së Maqedonisë. Në
këtë periudhë, shqiptarët mbrojtën shtetin e ri në një moment kur ekzistenca e tij ishte e pasigurt.
Kjo mbështetje nuk ishte rastësore, por buronte nga bindja e elitës politike shqiptare se një
Maqedoni e pavarur mund të ndërtohej mbi parimet e demokracisë multietnike dhe në përputhje
me interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon. Megjithatë, pas
konsolidimit të shtetit, shqiptarët u përballën me një realitet krejt tjetër. Në vend të ndërtimit të
një republike të përbashkët, filloi institucionalizimi gradual i segregacionit politik dhe kulturor.
Gjuha shqipe u privua nga statusi i plotë zyrtar, regjistrimi i emrave shqiptarë hasi pengesa
administrative, numri i paraleleve shqipe në arsim u reduktua, ndërsa koncepti i “paraleleve të
përziera” u përdor si instrument për zbehjen e identitetit gjuhësor. Në planin simbolik, flamuri
shqiptar u trajtua si kërcënim për shtetin, ndërsa tekstet shkollore dhe enciklopeditë prodhuan
narrativa që thellonin distancimin historik dhe kulturor të shqiptarëve. Në fushën e sigurisë dhe
politikës, procese të organizuara dhe incidente të fabrikuara kontribuan në rritjen e tensioneve
ndëretnike dhe krijimin e një klime të përhershme pasigurie.
Presioni i vazhdueshëm çoi drejt konfliktit të vitit 2001, i cili përfundoi me Marrëveshjen
Kornizë të Ohrit dokumenti që ndali luftën dhe hapi rrugën e aspiratave euro-atlantike të shtetit.
Megjithatë, kontradikta historike qëndron në faktin se deformimi i saj nisi pothuajse menjëherë
pas nënshkrimit. Në vend që deri në vitin 2004 të realizohej implementimi i plotë, marrëveshja u
shndërrua në një cikël të pafund kompromisesh dhe interpretimesh selektive, duke humbur
gradualisht karakterin e saj transformues. Marrëveshja që duhej të garantonte barazinë
kushtetuese u reduktua në instrument administrativ për menaxhimin e pakënaqësisë shqiptare, pa
materializuar frymën e saj reale.
Faza e tretë lidhet me zhvillimet politike pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024 dhe me
artikulimin e një diskursi të ri nacionalist nga Hristijan Mickoski. Ky projekt, në thelb, synon
ridizajnimin e shtetit në emër të integrimit evropian, duke reduktuar njëkohësisht rolin
kushtetues të shqiptarëve. Shqiptarët paraqiten jo si partnerë shtetformues, por si element
negociues në raport me kompromiset rajonale dhe ndikimet ndërkombëtare. Nuk është rastësi që

sulmet e para politike dhe juridike u drejtuan pikërisht ndaj përdorimit institucional të gjuhës
shqipe. Dobësimi i statusit të saj synon krijimin e një paradigme të re kushtetuese, ku integrimi
evropian paraqitet si i penguar nga tensionet etnike, duke transferuar presionin ndërkombëtar
mbi faktorët politikë shqiptarë që të pranojnë marrëveshje të reja në emër të stabilitetit.
Në këtë kontekst, protestat e studentëve shqiptarë marrin një domethënie që tejkalon kërkesën
akademike për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet juridike. Ato përfaqësojnë një formë
rezistence simbolike ndaj një projekti që perceptohet si degradim gradual i statusit kushtetues të
shqiptarëve. Për këtë arsye, këto protesta nuk kufizohen vetëm në sferën arsimore, por
shndërrohen në mbrojtje qytetare të barazisë politike dhe identitare. Çdo përpjekje për ta
kontrolluar ose delegjitimuar këtë revoltë studentore, e cila tashmë është shndërruar në
pakënaqësi publike, nuk mund të reduktohet në interpretimet e ngushta politike që kryeministri
Hristijan Mickoski përpiqet ta paraqesë si çështje universitare. Përkundrazi, energjia e këtij
mobilizimi pasqyron akumulimin e një frustrimi kolektiv ndaj proceseve që perceptohen si
rikthim i ideologjive ultra-nacionaliste dhe si tentativë për margjinalizimin kushtetues të
shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në këtë perspektivë, mesazhi politik që del nga kjo klimë është se stabiliteti i shtetit nuk mund të
ndërtohet mbi margjinalizimin e njërit prej popujve të tij përbërës. Edhe angazhimi i Denion
Meidanit merr rëndësi të veçantë, pasi diplomacia e tij aktive ka kontribuar në
ndërkombëtarizimin e çështjeve që lidhen me cenimin e frymës së Marrëveshjes së Ohrit. Në
këtë kuptim, çdo tentativë për ta larguar atë nga roli i tij diplomatik në Shkup do të perceptohej
jo vetëm si dobësim i mbështetjes ndërkombëtare për implementimin konsekuent të
marrëveshjes, por edhe si sinjal i rrezikshëm për relativizimin e çështjes shqiptare përballë
presioneve të reja politike. Një zhvillim i tillë mund të hapte një cikël të ri pasigurie politike dhe
tensioni etnik, me pasoja të drejtpërdrejta për stabilitetin e brendshëm dhe orientimin euro-
perëndimor të shtetit.
Në periudhën e ASNOM-it, shqiptarët u përjashtuan sistematikisht nga procesi real i
shtetformimit, ndërsa pas pavarësisë u përballën me margjinalizim institucional. Faza aktuale
rrezikon t’i reduktojë ata në një subjekt formal, pa peshë reale kushtetuese. Pikërisht këtu
qëndron thelbi i projektit që shumë shqiptarë e perceptojnë si “Maqedoni Evropiane pa
shqiptarët”. Për këtë degradim dhe cenim të Marrëveshjes së Ohrit, të rrezikuar nga projekti i

udhëhequr nga Hristijan Mickoski, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi qarqet nacionaliste
maqedonase, por edhe mbi disa faktorë politikë shqiptarë që, për interesa të ngushta politike,
pranuan projekte që dobësonin statusin kushtetues të shqiptarëve. Po aq përgjegjësi mbajnë edhe
segmentet e elitës politike shqiptare që nuk e kuptuan deri në vitin 2004 esencën reale të
marrëveshjes, duke e transformuar atë në një proces të pafund kompromisesh dhe negociatash,
çka dobësoi integritetin e saj kushtetues.
Kompromiset që gradualisht zbehën karakterin obligativ të marrëveshjes krijuan një gjendje ku
popullsia shqiptare filloi të humbasë besimin dhe shpresën tek Marrëveshja e Ohrit si garanci e
barazisë dhe stabilitetit. Për këtë arsye, dhe në përputhje me mekanizmat ndërkombëtarë për
mbrojtjen e marrëveshjeve strategjike në Ballkan, të mbështetura nga Bashkimi Evropian dhe
Donald Trump, çdo figurë politike që minon ose relativizon marrëveshje që kanë garantuar
paqen dhe stabilitetin ndëretnik duhet të përballet me pasoja politike dhe diplomatike. Në të
kundërt, degradimi i vazhdueshëm i marrëveshjes rrezikon të prodhojë jo vetëm krizë të besimit
institucional, por edhe kërkimin e alternativave të tjera politike nga një popullsi që ndien se
themeli i barazisë së premtuar po shpërbëhet gradualisht.
Historia e Ballkanit ka dëshmuar vazhdimisht se paqja e ndërtuar mbi pabarazi është vetëm
shtyrje e konfliktit. Për pasojë, çdo përpjekje për relativizimin e statusit kushtetues të shqiptarëve
në emër të “kompromiseve evropiane” rrezikon të prodhojë jo integrim, por krizë të re të
legjitimitetit shtetëror. Nëse Evropa dhe partnerët e saj perëndimorë synojnë vërtet ndërtimin e
një Maqedonie autentikisht euro-atlantike, ajo nuk mund të ndërtohet mbi dobësimin e identitetit
të popullit të dytë shtetformues të vendit. Një shtet që e percepton barazinë si kërcënim dhe jo si
themel të stabilitetit, rrezikon të mbetet i bllokuar në ciklin e krizave të trashëguara nga historia e
tij.
Shkup, 25 maj 2026