Boshnjakët u japin leksion shqiptarëve: Kur preken interesat kombëtare, nuk mjafton të ankohesh – duhet të veprosh!

Fejzi HAJDARI

Boshnjakët e Maqedonisë së Veriut po u japin shqiptarëve një leksion të hidhur, por shumë të qartë. Kur preket dinjiteti, historia dhe interesi kombëtar, nuk mjafton të bësh deklarata nëpër korridoret e pushtetit. Duhet të reagosh, të veprosh dhe duhet të përdorësh edhe institucionet dhe ligjin.
Reagimi i Bashkimit Demokratik Boshnjak (BDS) ndaj glorifikimit të kriminelit të luftës Ratko Mlladiq nga funksionari Dalibor Kitanoviq, është pikërisht një shembull i tillë.
BDS-ja nuk u mjaftua me një status në Facebook. Nuk u mjaftua me një deklaratë për media. Nuk u mjaftua me një “shqetësim të thellë”. Paraqiti kallëzim penal.
Kitanoviqi, drejtor i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, akuzohet nga BDS se përmes një postimi publik ka glorifikuar dhe lartësuar Ratko Mlladiqin, i dënuar përfundimisht për krime lufte. Dhe boshnjakët kanë reaguar pikërisht aty ku duhet: te institucionet dhe te ligji.
Madje, reagimi i tyre bëhet edhe më domethënës për shkak të pozitës që mban personi në fjalë, sepse si mundet një drejtues i një institucioni që duhet të mbrojë të drejtat e komuniteteve më të vogla të relativizojë, qoftë edhe përmes një postimi, krimet që kanë prekur drejtpërdrejt një komunitet të tërë?
Çështja është e rëndë, por edhe më e rëndë është pyetja që duhet t’ua bëjmë shqiptarëve dhe politikës shqiptare: Ku jemi ne kur preken interesat tona, kur diskutohet historia e UÇK-së, kur preket gjuha shqipe, kur mbyllen ose rrezikohen paralele me mësim në gjuhën shqipe, kur shqiptarët përballen me tabela vetëm në maqedonisht? Kur institucionet vazhdojnë ta trajtojnë përdorimin e shqipes sikur të ishte ndonjë favor që mund të jepet ose të hiqet sipas vullnetit të administratës? Kur cenohen interesat kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut?

Çfarë bëjmë ne shqiptarët e MV-së? Deklarata, Reagime, Postime, Konferenca për shtyp…
Dhe më pastaj… heshtje dhe vetëm heshtje, sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Është kjo strategji të cilën e ndërtuar partitë shqiptare vite e dekada me radhë, për shkak se realisht nuk kanë guxim t’I kundërvihen maqedonasve në pushtet, sepse janë të shantazhueshëm pikërisht nga pushtetet.
Kjo është ajo që duhet të na turpërojë, sepse sot boshnjakët po na tregojnë se si mbrohet një qëndrim kombëtar në një shtet multietnik: me veprim konkret institucional dhe juridik. Ndërsa ne shpesh sillemi sikur mjafton që një parti shqiptare të dalë në televizion dhe të thotë se është “e shqetësuar”.
Jo!
Interesi kombëtar nuk mbrohet me shqetësime. Mbrohet me veprime. Dhe shembulli i fundit është veçanërisht domethënës. Boshnjakët reaguan ndaj glorifikimit të Mlladiqit. Ne duhet të pyesim veten: a kemi reaguar me të njëjtën vendosmëri kur janë cenuar figurat, vlerat dhe të drejtat që lidhen me historinë tonë?
Nëse i kemi përdorur sistematikisht institucionet? A kemi bërë kallëzime? A kemi kërkuar përgjegjësi ligjore? Nëse kemi ndjekur deri në fund procedurat? Apo presim që dikush tjetër të na mbrojë?
Dhe këtu arrijmë te paradoksi më i madh!
Si është e mundur që shqiptarët, të cilët janë komuniteti i dytë më i madh në vend, dhe që kanë një peshë shumë më të madhe politike e demografike se boshnjakët, shpesh të duken më të pafuqishëm në mbrojtjen institucionale të të drejtave të veta?
Si është e mundur që duhet të luftojmë edhe për një paralele në gjuhën shqipe në mes të Shkupit? Ose, si është e mundur që për një çështje kaq elementare duhet të negociohet, të bëhen mbledhje, të kërkohen sqarime dhe të pritet vullneti i një drejtorie apo institucioni? Dhe ndërkohë, partitë shqiptare në pushtet heshtin.
Kjo nuk është më vetëm paaftësi politike apo dështim në përfaqësim. Sepse qytetari shqiptar nuk i ka votuar partitë shqiptare që ato të jenë dekor në një koalicion qeverisës, por i ka votuar që të mbrojnë interesat e tij, të drejtat e tij, gjuhën e tij, arsimin e fëmijëve të tij, dinjitetin e tij…
Dhe nëse përballë një padrejtësie institucionale nuk jeni në gjendje ta përdorni as ligjin për ta mbrojtur një paralele në gjuhën shqipe, atëherë duhet bërë pyetja:
Për çfarë na duhen partitë shqiptare në pushtet?
Boshnjakët sot na tregojnë se madhësia e një komuniteti nuk është gjithçka. Rëndësi ka edhe sa i organizuar është ai komunitet për të mbrojtur atë që e konsideron interes jetik. Ata e kanë kuptuar një gjë shumë të thjeshtë: Kur preket historia dhe dinjiteti i komunitetit, nuk mjafton të thuash “jemi të shqetësuar”. Duhet të veprosh, duhet të kërkosh përgjegjësi, duhet të kërkosh hetim, duhet të përdorësh ligjin, bile-bile nëse është e nevojshme, duhet të shkosh deri në fund.
Kurse ne, cfarë bëjmë?
Ne shpesh presim që dikush tjetër ta bëjë punën tonë. Presim qeverinë. Presim koalicionin. Presim ministrin. Presim drejtorin. Presim kryetarin e komunës. Presim e presim na kaluan 35 vite demokraci pa zgjidhë madje-madje asnjë problem kombëtarë që ishin pjesë e platformave politike të partive shqiptare që nga vitit 1991/92… Vërtetë turp, bile shumë I madh!
Dhe ndërkohë, hap pas hapi, humbim terren. Një paralele këtu. Një tabelë atje. Një vendim administrativ diku tjetër. Një institucion që nuk e zbaton shqipen. Një tjetër që e relativizon.
Dhe kur të gjitha këto mblidhen, kuptojmë se problemi nuk ishte vetëm një rast i izoluar.
Problemi ishte se ne heshtëm në secilin rast veç e veç. Prandaj reagimi i boshnjakëve duhet të jetë një kambanë alarmi për politikën shqiptare. Jo për t’i sulmuar boshnjakët. Përkundrazi. Për t’i marrë si shembull. Për shkak se një komunitet që është shumë më i vogël numerikisht po tregon se si mbrohen interesat e veta në mënyrë institucionale. Dhe kjo duhet të na bëjë të reflektojmë. Sidomos tani, kur në Butel po diskutohet mbyllja e një paraleleje në gjuhën shqipe.
A do të mjaftohemi edhe këtë herë me deklarata, apo do të shkojmë deri në fund me të gjitha mjetet ligjore dhe institucionale që kemi në dispozicion?
Nëse nuk jemi në gjendje ta mbrojmë një paralele në shqip në Shkup, atëherë çfarë po mbrojmë realisht? Kjo është pyetja që duhet t’i bëjë vetes çdo parti shqiptare në pushtet. Dhe jo vetëm sot, sepse të drejtat nuk ruhen duke i marrë si të mirëqena. Të drejtat ruhen duke i mbrojtur çdo ditë.

Boshnjakët sot na dhanë një leksion. Pyetja është: A do të kemi ne guximin ta mësojmë atë, sepse historia nuk i mban mend vetëm ata që folën. Historia i mban mend edhe ata që heshtën kur duhej të vepronin. Dhe nëse politika shqiptare vazhdon të heshtë përballë cenimit të të drejtave të shqiptarëve, atëherë një ditë nuk do të mjaftojë të thuhet: “Nuk e dinim”,
Për shkak se e kemi parë, e kemi dëgjuar, e kemi përjetuar dhe kemi heshtur. Mjaft me deklarata. Koha është për veprim.