Burime të shumta konfirmuan për Fox News Digital se autori i dyshuar, i cili hapi zjarr me pistoletë të shtunën pranë Shtëpisë së Bardhë në Uashington, dhe që u vra nga agjentët e Shërbimit Sekret amerikan, është identifikuar si Nasire Best, 21 vjeç, nga Maryland.
Sipas një zëdhënësi të Shërbimit Sekret, rreth orës 18:00 me orën lokale,( mesnatë me orën tonë) i dyshuari iu afrua një pike kontrolli të Shërbimit Sekret pranë rrugës 17 dhe Pennsylvania Avenue NW, nxori një armë nga çanta dhe nisi të qëllonte ndaj agjentëve të vendosur në zonë.
Sipas një zyrtari të lartë të administratës, i cili kishte dijeni të drejtpërdrejtë për incidentin, Best kishte pasur më parë kontakte me Shërbimin Sekret dhe një histori problemesh të shëndetit mendor. Ai dyshohet se qëlloi rreth tre herë në drejtim të rezidencës presidenciale përpara se të neutralizohej nga agjentët e Shërbimit Sekret.
Pas incidentit, Shtëpia e Bardhë u vendos në izolim të plotë sigurie, masë që më pas u hoq.
Një kalimtar u plagos nga të shtënat gjatë shkëmbimit të zjarrit dhe gjendja e tij shëndetësore mbetet e paqartë, tha zyrtari i lartë.
Sipas raportimeve, u dëgjuan deri në 30 të shtëna në drejtim të ndërtesës Eisenhower, ndërtesë qeveritare shumë e rëndësishme pranë Shtëpisë së Bardhë në Uashington, ku ndodhen zyra të stafit të presidentit amerikan dhe institucione të tjera të administratës.
Zyrtari shtoi se i dyshuari nuk arriti asnjëherë të hynte brenda perimetrit të përgjithshëm të sigurisë së Shtëpisë së Bardhë.
Fox News mësoi se Best ishte ndaluar nga Shërbimi Sekret më 26 qershor 2025, pasi kishte ndaluar agjentët dhe kishte bërë kërcënime, si edhe më 10 korrik 2025, për hyrje në një zonë të kufizuar.
Të gjithë anëtarët e Shërbimit Sekret raportohet se janë të sigurt, megjithëse një agjent i me veshje u dërgua në spital si masë paraprake.
Presidenti amerikan Donald Trump vlerësoi reagimin ndaj të shtënave pranë Shtëpisë së Bardhë në një postim në Truth Social në orët e para të së dielës.
“Faleminderit Shërbimit tonë të madh Sekret dhe forcave të rendit për veprimin e shpejtë dhe profesional të ndërmarrë këtë mbrëmje kundër një personi të armatosur pranë Shtëpisë së Bardhë, i cili kishte një histori dhune dhe një obsesion të mundshëm ndaj strukturës më të çmuar të vendit tonë”, shkroi ai. “Autori mbeti i vrarë pas shkëmbimit të zjarrit me agjentët e Shërbimit Sekret pranë portave të Shtëpisë së Bardhë.”
Trump tha se incidenti nxori në pah nevojën për masa më të forta sigurie rreth Shtëpisë së Bardhë.
“Ky incident vjen vetëm një muaj pas të shtënave gjatë Darkës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë dhe tregon sa e rëndësishme është që, për të gjithë presidentët e ardhshëm, të krijohet hapësira më e sigurt dhe më e mbrojtur e këtij lloji që është ndërtuar ndonjëherë në Uashington. Siguria kombëtare e vendit tonë e kërkon këtë!”, u shpreh ai.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, tha se agjentët e agjencisë së tij ndodhen në vendngjarje dhe po “mbështesin Shërbimin Sekret pranë territorit të Shtëpisë së Bardhë”.
Agjentët e Shërbimit Sekret u dëgjuan duke u thënë gazetarëve “shtrihuni poshtë”, përpara se përfaqësuesit e medias të shoqëroheshin në sallën e konferencave për shtyp James S. Brady, në krahun perëndimor të Shtëpisë së Bardhë.
Disa orë përpara të shtënave të dyshuara, Trump njoftoi se administrata e tij ishte pranë finalizimit të një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës me Iranin, duke theksuar se ndodhej në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.
Sipas Shërbimit Sekret, presidenti ndodhej në Shtëpinë e Bardhë gjatë incidentit, por nuk u prek nga ngjarja. /Fox News
© SYRI.net



