Sali Berisha është rikonfirmuar për një mandat tjetër në krye të Partisë Demokratike të Shqipërisë, pasi ka siguruar 96 për qind të votave në procesin zgjedhor të organizuar nga partia. Berisha ishte i vetmi kandidat.
Sipas rezultateve paraprake, në votim morën pjesë 39,441 anëtarë, ku 38,902 vota ishin të vlefshme dhe 539 të pavlefshme.
Nga votat e vlefshme, 37,341 ishin pro Sali Berishës, 1,055 kundër dhe 506 abstenuan.
Pas nisjes së votimit, zëdhënësja e partisë, Albana Vokshi deklaroi se të drejtë vote kishin 51 mijë anëtarë të PD-së, rreth 24 mijë më pak krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, të cilat ishin të fundit që partia i zhvilloi para krizës së brendshme dhe përçarjes së partisë.
PD-ja u përball më pas me një periudhë tensionesh dhe procese gjyqësore, pas përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar.
Pesë kandidatë të tjerë kishin dorëzuar dokumentacionin për të garuar në zgjedhje, por ata u përjashtuan nga gara nga strukturat e partisë, duke bërë që Berisha të mbetej kandidati i vetëm për postin e kryetarit.
Berisha 81-vjeçar u kthye në krye të partisë në vitin 2022, pasi nëntë vite më herët dha dhorëheqje pasi humbi zgjedhjet. Në vend të tij u pat zgjedhur Lulzim Basha. Megjithatë, PD-ja ka pësuar debakle të njëpasnjëshme nga Partia Socialiste në katër zgjedhjet e fundit.



