Zëvendësndihmësi i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Kevin Hamilton, ka thënë se thellimi i partneritetit me Serbinë është i pezulluar për sa kohë që Serbia nuk i mban përgjegjës organizatorët dhe kryesit e sulmeve në veri. Hamilton, gjatë një takimi me gazetarë në Prishtinë, tha se Rusia synon nxitje të pakënaqësive e përçarjeve në rajon
NATO-ja nuk do ta thellojë partneritetit me Serbinë nëse nuk ka llogaridhënie për incidentet e vitit 2023, ku bën pjesë sulmi në Banjskë, ka thënë Kevin Hamilton, zëvendësndihmës sekretar i përgjithshëm i NATO-s.
Hamilton, që është ambasador i aleancës për partneritete, tha të enjten në një takim me gazetarë në Prishtinë, se këtë mesazh ua ka përcjellë edhe udhëheqësve shtetërorë në Beograd.
“Ajo që mund të them është që këto incidente dhe sulmet mbi personelin e KFOR-it ishin plotësisht të papranueshme. Isha në Beograd para se të të vija në Prishtinë dhe mesazhi im për autoritetet serbe është që NATO-ja pret llogaridhënie, drejtësi ndaj atyre që kryen dhe organizuan ato sulme–duhet të sillen para drejtësisë dhe ndonëse NATO-ja do që të ketë raport transparent e pozitiv me Serbinë, ka disa aspekte që nuk mund të ecin përpara pa pasur llogaridhënie për këto sulme. Disa aspekte nuk mund të ecin përpara derisa nuk ka llogaridhënie për këto sulme. Ky është mesazhi që ua dhashë bashkëbiseduesve të mi serb dhe topi është në fushën e tyre”, tha Hamilton.
Ai tha se pret nga Serbia vendosje të drejtësisë për incidentet e 2023-ës, ku bën pjesë si sulmi në Banjskë, ashtu edhe lëndimi i 90 pjesëtarëve të KFOR-it në protestën e 29 majit në Zveçan. E i pyetur me çka nuk do të ecë përpara NATO-ja në raportin me Serbinë, nëse se nuk ka llogaridhënie për këto incidente, Hamilton u përgjigj se nuk do të ketë partneritet të përshtatur individual me këtë shtet.
“Do të thosha (v.j se ajo që pezullohet është) thellimi i marrëdhënieve mes NATO-s dhe Serbisë, për shembull lëvizja drejt një partneriteti të përshtatur individual me Serbinë. Në një kuptim real, do të donim ta shihnim këtë, por nuk do të lëvizim në këto aspekte të bashkëpunimit praktik pa pasur ose deri kur të ketë llogaridhënie e drejtësi lidhur me incidentet e 2023-ës”, theksoi Hamilton.
Ambasadori i NATO-s që mbulon edhe rajonin e Kaukazit dhe Azisë Qendrore deklaroi se fuqi të huaja qëllimkëqija po përdorin dezinformimin në dëm të sigurisë së Kosovës, tek u bëri thirrje qytetarëve të kenë kujdes me ato që i lexojnë.
“Fatkeqësisht shohim aktorë të huaj dhe do ta përmend një, Rusinë, që përfshihet në fushata të dezinformimit, fushata hibride jo vetëm këtu në Ballkan Perëndimor, por edhe në botë gjetiu. Është pjesë e manualit rus të nxisë pakënaqësi dhe përçarje edhe këtu në Ballkan Perëndimor, andaj është me rëndësi që njerëzit në Kosovë, por edhe në rajon, të jenë vigjilentë, të jenë pjesë e asaj doktrinës që e gjithë shoqëria të jetë reziliente (e qëndrueshme), të jenë me aftësi kibernetike – t’i kuptojnë kur ka fushata të phishing dhe fushata kubernetike që synojnë ta minojnë stabilitetin dhe koherencën e shoqërisë dhe t’i njohin dezinformatat, t’i njohin përpjekjet që qëndrojnë mbrapa tyre dhe të jenë vazhdimisht vigjilentë”, tha Hailton.
Ai theksoi rëndësinë e edukimit për medimin kritik, tek për pjesën e mbrojtjes kibernetike tha se janë duke e ndihmuar Kosovën.
“Një pjesë e saj është vetëm edukimi, të bësh takime si ky, intervista si këto për ta shpërndarë fjalën te popullata e Kosovës se duhet të jenë vigjilentë dhe që të bëjnë mendim kritik për shembull kur ballafaqohen me materiale që kanë burime të dyshimta, kjo është njëra. E sigurisht forcat e NATO-s këtu po punon me institucionet e Kosovës që ato ta ndërtojnë reziliencën (qëndrueshërinë), dhe kapacitetet e tyre për tu mbrojtur nga sulmet kibernetike dhe sulmet hibdide”, deklaroi Hamilton.
Hamilton tha se NATO ka pasur marrëdhënie me Kosovën për mbi 27 vjet dhe “ka marrëdhënie të fortë me të.
Po ashtu tha se fokusi i NATO-s nuk është tek anëtarësimi i Kosovës në aleancë, por te siguria dhe stabiliteti që sipas tij, në radhë të parë e sjell dialogu i ndërmjetësuar nga Brukseli zyrtar./koha.net



