Izraeli po përballet me kritika të forta ndërkombëtare pas publikimit të një videoje ku duket ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, dhe aktivistët e flotiljes për Gazën të gjunjëzuar dhe me duart e lidhura pas shpine, pas ndërhyrjes së marinës izraelite në ujërat ndërkombëtare.
Pamjet, të publikuara në rrjetin social X, kanë shkaktuar reagime të ashpra nga liderë evropianë dhe qeveri të ndryshme, të cilat e kanë cilësuar trajtimin e aktivistëve si të papranueshëm dhe poshtërues.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi se ishte “i tronditur” nga mënyra si ishin trajtuar pjesëtarët e flotiljes humanitare dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të tyre.
Britania e Madhe thirri për sqarime diplomatin më të lartë izraelit në Londër, ndërsa ministrja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, u shpreh se videoja shkel standardet më bazike të respektit dhe dinjitetit njerëzor.
Edhe Italia reagoi ashpër. Kryeministrja Giorgia Meloni e cilësoi veprim të papranueshëm.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha se Spanja nuk do të tolerojë keqtrajtimin e qytetarëve të saj dhe paralajmëroi se Madridi do të kërkojë zgjerimin në nivel europian të ndalimit të hyrjes së Ben-Gvir në territorin spanjoll.
Franca, Polonia, Holanda, Kanadaja dhe Greqia reaguan po ashtu duke thirrur ambasadorët izraelitë ose duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të shtetasve të tyre të ndaluar.
Edhe brenda vetë Izraelit pati kritika ndaj Ben-Gvir. Kryeministri Benjamin Netanyahu mbrojti ndalimin e flotiljes, por tha se trajtimi i aktivistëve “nuk përputhet me vlerat dhe normat e Izraelit”.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, akuzoi Ben-Gvir se kishte dëmtuar imazhin e vendit me një “spektakël të turpshëm” dhe se kishte minuar punën e ushtarëve dhe diplomatëve izraelitë.
Nga ana tjetër, Irani e krahasoi incidentin me “jehonat më të errëta të historisë”, ndërsa akuzoi Perëndimin për heshtje ndaj asaj që e cilësoi si pushtim.
Ngjarja ka shtuar presionin ndërkombëtar ndaj qeverisë izraelite në një kohë tensionesh të larta lidhur me luftën në Gaza dhe situatën humanitare në rajon.
Klan News
/tvklan.al



