Zëvendës Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Partneritete në NATO, ambasadori Kevin Hamilton, ka mbajtur sot një takim me gazetarë në Prishtinë, ku ka diskutuar rreth situatës së sigurisë në Kosovë, zhvillimeve në rajon, dialogut Kosovë-Serbi dhe kërcënimeve hibride në Ballkanin Perëndimor.
Në pyetjen e parashtruar nga gazetarja e Telegrafit, Jehona Hulaj e cila ishte prezente në këtë takim, lidhur me incidentet në veri dhe mundësinë e përsëritjes së tyre tash në prag të zgjedhjeve të reja, ambasadori Hamilton u shpreh se në përgjithësi situata në Kosovë është stabile dhe e sigurt.
“Por sigurisht, KFOR-i është këtu për një arsye, sepse ekziston një histori e brishtësisë. Mandati i KFOR-it dhe NATO-s është të punojnë me institucionet në Kosovë për t’u siguruar që ky stabilitet të ruhet. Pra, KFOR-i dhe NATO janë gjithmonë duke vëzhguar dhe dëgjuar, për t’u siguruar që të mos ketë rritje të paqëndrueshmërisë. Por duhet të them se, për momentin, ne ndihemi mjaft komodë me situatën në terren në Kosovë”, u shpreh Hamilton.
Ambasadori Hamilton foli edhe për sulmin në Banjskë, duke thënë se NATO pret përgjegjësi dhe drejtësi për incidentet e vitit 2023, ndërsa theksoi se kjo çështje mbetet e rëndësishme edhe për raportet ndërmjet NATO-s dhe Serbisë, raporton Telegrafi.
“Sapo kam ardhur nga Beogradi para se të arrija këtu në Prishtinë dhe mesazhi im për autoritetet serbe është se NATO pret llogaridhënie, që drejtësia të vihet në vend – ata që organizuan dhe kryen ato sulme duhet të përballen me drejtësinë”, deklaroi ai, duke theksuar se sulmet ndaj pjesëtareve të KFOR-it janë të papranueshme.
Ambasadori shtoi se Serbia i di autorët e këtij sulmi, prandaj presin hapa konkret.
“Që marrëdhëniet NATO-Serbi të ecin përpara në një mënyrë më të thellë dhe më kuptimplotë, duhet të shohim që organizatorët e sulmit në Banjskë të sillen para drejtësisë. Dhe ne e dimë kush janë ata, ne besojmë se edhe autoritetet në Serbi e dinë kush janë. Prandaj, siç thashë, topi është në anën e Serbisë për të ndërmarrë hapat e ardhshëm. Ky ishte mesazhi që ua dhashë bashkëbiseduesve të mi serbë dhe tani topi është në anën e tyre”, tha ai.
Sipas Hamiltonit, megjithëse NATO dëshiron një marrëdhënie më të thellë dhe më transparente me Serbinë, disa procese të bashkëpunimit nuk mund të avancojnë pa pasur përgjegjësi për sulmet në veri të Kosovës.
“Do të thosha marrëdhënie më të thella ndërmjet NATO-s dhe Serbisë. Për shembull, avancimi i një programi partneriteti të përshtatur individualisht me Serbinë, në një kuptim shumë real. Ne duam të shohim që kjo të ndodhë, por nuk do të ecim përpara me ato aspekte të bashkëpunimit praktik derisa të shohim llogaridhënie dhe drejtësi për incidentet e vitit 2023”, u shpreh Hamilton, raporton Telegrafi.
Ambasadori i NATO-s përmendi edhe procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku theksoi se NATO e mbështet.
“Duhet të ketë dialog të vazhdueshëm dhe të fuqishëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. NATO e mbështet fuqishëm procesin e dialogut Prishtinë–Beograd të udhëhequr nga BE-ja, nën drejtimin e Peter Sorensen”, tha Hamilton. /Telegrafi/



