Mitsotakis: Integrimi i Ukrainës në BE nuk mund të bëhet në kurriz të procesit të zgjerimit me Ballkanin Perëndimor

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka deklaruar se integrimi evropian i Ukrainës nuk duhet të bëhet në kurriz të procesit aktual të zgjerimit të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi se ekziston një proces i qartë zgjerimi dhe shprehu dëshirën që të gjitha vendet kandidate të anëtarësohen sa më shpejt, por nënvizoi se “procesi duhet të respektohet”.

“Integrimi i Ukrainës është një çështje për të cilën po diskutojmë, por nuk mund të ndodhë në kurriz të procesit të zgjerimit që tashmë është në zhvillim dhe që ka të bëjë edhe me fqinjësinë tonë. E kam fjalën për Ballkanin Perëndimor. Pra, ekziston një proces që është në vijim. E kemi përcaktuar udhërrëfyesin për Ukrainën. Besoj se janë zbatuar reforma të rëndësishme në atë drejtim”, tha Mitsotakis.

Të njëjtin qëndrim e përsëriti edhe zëvendësministrja e Jashtme e Greqisë, Aleksandra Papadopulu, e cila theksoi se duhet të ekzistojë perspektivë evropiane si për Ukrainën dhe Moldavinë, ashtu edhe për Ballkanin Perëndimor, pa u dëmtuar procesi ekzistues për rajonin.

Në podcast-in e Gideon Rachman, Mitsotakis foli edhe për situatën në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar se zgjatja e krizës mund të sjellë pasoja ekonomike, si inflacion më të lartë dhe rritje më të ngadaltë ekonomike.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e lirisë së lundrimit dhe e kundërshtoi kategorikisht idenë e vendosjes së taksës për kalimin në Ngushticën e Hormuzit, duke e cilësuar si “shantazh” dhe një precedent të rrezikshëm për tregtinë globale.

Mitsotakis përsëriti se Greqia mbështet zgjidhjet përmes negociatave dhe shprehu gatishmërinë për të marrë pjesë në një operacion paqeruajtës, nëse një gjë e tillë do të kërkohej.