Merkel merr Urdhrin Evropian të Meritës nga Parlamenti Evropian

Angela Merkel dhe Lech Wałęsa janë nderuar me Urdhrin Evropian të Meritës nga Parlamenti Evropian, në një ceremoni të organizuar nga institucionet evropiane për të vlerësuar kontributin e tyre në forcimin e bashkëpunimit dhe unitetit evropian.

Dekorata për Merkelin vjen në një moment kur në qarqet politike evropiane po diskutohet gjithnjë e më shumë për rolin që ajo mund të ketë në negociatat e ardhshme ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë.

Ish-kancelarja gjermane konsiderohet si një nga lideret evropiane me më së shumti përvojë në raportet me Kremlinin, veçanërisht për shkak të kontakteve të gjata politike me presidentin rus, Vladimir Putin dhe rolit të saj në negociimin e marrëveshjeve të Minskut, të cilat synonin uljen e tensioneve në Ukrainë pas konfliktit të vitit 2014.

Megjithatë, sipas raportimeve të Politico, Merkel nuk ka interes të rikthehet në skenën diplomatike si ndërmjetësuese në bisedimet me Moskën. Burime pranë saj thonë se ish-kancelarja dëshiron të qëndrojë larg rolit aktiv politik, pavarësisht thirrjeve të disa zyrtarëve evropianë që e shohin si figurë me peshë në komunikimin me Rusinë.

Në anën tjetër, ish-presidenti polak Lech Wałęsa u vlerësua për rolin historik në rrëzimin e komunizmit në Evropën Lindore dhe për kontributin e tij në lëvizjen “Solidarnosc”, e cila u bë simbol i rezistencës kundër regjimit komunist në Poloni.

Videoja e publikuar nga ceremonia tregon momentin e ndarjes së çmimeve për dy figurat e njohura evropiane, të cilat për dekada kanë pasur ndikim të madh në politikën dhe historinë moderne të kontinentit.