Ambasadori i Shqipërisë kritikoi trajtimin e studentëve në Shkup

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut Denion Meidani, ka reaguar pas protestës së djeshme lidhur me kërkesën që studentët shqiptarë të kenë mundësi të testohen dhe të ushtrojnë profesionin në gjuhën amtare. Në një reagim të publikuar në Facebook, Meidani tha se ndalimi, vonimi dhe intimidimi i studentëve që udhëtonin drejt Maqedonisë së Veriut për të shprehur solidaritet paqësor, e tejkalon një çështje procedurale dhe prek “vetë mirëkuptimin demokratik dhe frymën europiane”, transmeton Portalb.mk.

“Kur studentë ndalohen, vonohen dhe intimidohen teksa udhëtojnë për të shprehur paqësisht solidaritet për një të drejtë gjuhësore, çështja pushon së qeni vetëm procedurale. Ajo prek vetë mirëkuptimin demokratik dhe frymën evropiane që synojmë të ndërtojmë si rajon. Studentët shqiptarë nga Tirana udhëtuan drejt Republikës së Maqedonisë së Veriut jo për përplasje, por për solidaritet qytetar dhe për të mbështetur një kërkesë elementare: të drejtën për t’u testuar dhe për të ushtruar profesionin në gjuhën amtare”, shkroi ambasadori i Shqipërisë.

Ai theksoi se të rinjtë shqiptarë nuk kërkojnë privilegje, por “dinjitet, barazi dhe respekt për të drejtat themelore”, duke shtuar se një kërkesë për dinjitet nuk duhet të perceptohet si kërcënim, veçanërisht në shtete që synojnë integrimin evropian.

Sipas Meidanit, vlerat evropiane ndërtohen mbi demokracinë, barazinë dhe respektimin e të drejtave themelore, ndërsa solidariteti qytetar nuk duhet të pengohet apo të trajtohet me presion institucional.

“Këta të rinj nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për të drejtat themelore. Dhe një kërkesë për dinjitet nuk duhet të perceptohet kurrë si kërcënim, sidomos në vende që synojnë t’i bashkohen familjes evropiane dhe të ndërtojnë të ardhmen mbi vlerat e demokracisë, barazisë dhe të drejtave themelore”, shkroi Meidani.

Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon përgjegjësi nga Astrit Iseni për ndalimin e studentëve nga Shqipëria.

“Zëvendës ministri pa legjitimitet etnik në Ministrinë e Brendshme, Astrit Iseni, maltretoi studentët nga Shqipëria duke i endur rrugëve me shoqërim dhe izolim policor, vetëm e vetëm që të mos marrin pjesë në protestën studentore në Shkup. Mungesa e legjitimitetit kombëtar të bën shërbëtorë dhe Astrit Iseni shkëlqen në këtë rol. Vëllezër nga Shqipëria, të dashur studentë, ne ju kërkojmë falje për këtë turp të vazalëve si Astrit Iseni dhe VLEN”, thonë nga BDI.

Kujtojmë se, me thirrje e pankarta për mundësimin e mbajtjes së provimit të jurisprudencës në shqip përveç maqedonishtes, studentët shqiptarë protestuan dje në Shkup nga Ura e Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë. Ata kërkuan që institucionet shtetërore ta zbatojnë Ligjin e gjuhëve dhe zëri i tyre të dëgjohet. Studentët u përballën me ndalesa nga policia ndërkaq në protestë u arrestuan tre persona.