Një pjesë e furrave shtrenjtojnë bukën në Maqedoni

Çmimet e bukës dhe produkteve të brumit në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar sërish rritje, duke rënduar edhe më shumë buxhetin e qytetarëve, të cilët ankohen se krahas shtrenjtimit po përballen edhe me zvogëlim të peshës së produkteve. Për shembull, një simite (gjevrek) që kushtonte 20 denarë dhe peshonte 100 gramë, tani kushton 25 denarë dhe peshon vetëm 80 gramë.

Lidhur me këtë rritje të heshtur të çmimeve, Televizioni 24 tentoi të marrë një qëndrim nga industria e miellit dhe furrave si dhe nga Oda Ekonomike, por askush prej tyre nuk pranoi të deklarohej.

Nga ana tjetër, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) bën të ditur se shporta sindikale ka shënuar rritje edhe gjatë muajit prill, ku goditjen më të madhe e mbajnë produktet ushqimore bazë.

“Të dhënat e fundit tregojnë se shporta minimale sindikale për një familje katëranëtarshe ka arritur në gati 69,000 denarë (pa llogaritur qiranë e banesës). Analiza jonë 5-vjeçare tregon se kostoja e jetesës është rritur për saktësisht 103%, gjë që është e papërballueshme në raport me rritjen e pagës minimale dhe asaj mesatare. Ne mbetemi në qëndrimin se paga minimale duhej të bëhej 600 euro që dje,” deklaroi Ivan Peshevski nga LSM.

Ndërkaq, Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, ka deklaruar se nuk ka bazë për ndërhyrje në çmimet e marketeve për sa kohë nuk vërtetohet se ata po i rrisin margjinat e fitimit. Ai paralajmëroi inspektime të rrepta në terren për të vendosur nëse do të ndërmerren masa të reja. (INA)