Meloni anulon takimin në Qipro, niset drejt Modenës pas sulmit me makinë

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, do të udhëtojë këtë të diel drejt Modenës, një ditë pas një incidenti ku disa persona u plagosën nga një sulm me makinë në këtë qytet.

Për këtë arsye, ajo ka anuluar vizitën në Nikosia ku do të takohej me presidentin e Qipros. Reuters shkruan se edhe Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, do të udhëtojë drejt qytetit verior italian.

Sjellim ndërmend se një 30-vjeçar, i lindur në Itali dhe me origjinë nga Afrika e Veriut, drejtoi makinën drejt një turme në qendër të qytetit të shtunën, duke plagosur tetë persona, katër prej të cilëve ndodhen në gjendje rëndë.

I riu u përpoq të largohej dhe goditi me thikë një nga tre kalimtarët që u përpoqën ta ndalonin. Më pas ai u arrestua nga policia.

Prokurorët e Modenës deklaruan të dielën se i dyshuari po hetohet për “masakër” dhe “plagosje trupore”, duke shtuar se po punohet për të përcaktuar motivin e veprimeve të tij.

Sipas tyre, ai i goditi këmbësorët në qendrën e mbushur të qytetit, i cili ka mbi 180 mijë banorë, “në mënyrë të rastësishme dhe të qëllimshme”.

Kohë më parë, në vitin 2022, ai kishte marrë trajtim për probleme të shëndetit mendor për shkak të çrregullimit të personalitetit, pas së cilës u shkëput nga sistemi”, tha kryebashkiaku i Modenës, Massimo Mezzetti, për RaiNews24 natën e së shtunës.

Dy prej të plagosurve kanë humbur këmbët si pasojë e ngjarjes, ndërsa njëri ndodhet ende në rrezik për jetën.