Trump tërheq trupa nga Evropa, por jo nga Kosova

Vendimi i Pentagonit për të anuluar dislokimin e planifikuar të një brigade të blinduar amerikane në Poloni ka shtuar pasiguritë mbi të ardhmen e pranisë ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Evropë.

Lëvizja, e cila prek më shumë se 4 mijë trupa dhe pajisje të rënda ushtarake, erdhi vetëm pak ditë pasi administrata e presidentit Donald Trump njoftoi reduktimin e rreth 5 mijë trupave amerikane nga Gjermania.

Këtë zhvillim, shumë analistë e kanë interpretuar si pjesë të një rishikimi më të gjerë të gjurmës ushtarake amerikane në kontinent.

Në këtë klimë pasigurie, një pyetje nisi të qarkullojë edhe në Ballkanin Perëndimor: a mund të preket edhe Kosova?

Për momentin, sinjali zyrtar nga Washington-i është negativ.

Në një komunikim me Albanian Post, Pentagoni konfirmoi se aktualisht nuk ka ndryshime të planifikuara për praninë ushtarake amerikane në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Nuk kemi ndryshime në pozicionin e forcave për të njoftuar në lidhje me KFOR-in”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Mbrojtjes amerikane për Albanian Post.

Formulimi është i shkurtër dhe i kujdesshëm diplomatikisht, por në thelb dërgon një sinjal të qartë: ndryshe nga Gjermania apo Polonia, Kosova nuk duket të jetë pjesë e fazës aktuale të rishikimit të pranisë ushtarake amerikane në Evropë.

Për njerëzit e sigurisë në Kosovë, një formulim i tillë nuk lexohet si një përgjigje rutinë burokratike.

Ish-koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli, thotë se pesha e pranisë amerikane në Kosovë nuk mund të kuptohet vetëm përmes statistikave apo numrit të trupave.

“Në rastin tonë, prania ushtarake amerikane është jetike; është çështje ekzistence, lirie dhe e vetë shtetit tonë”, thotë ai për Albanian Post, duke argumentuar se ndikimi amerikan në Kosovë ka qenë historikisht shumë më i madh sesa dimensioni i thjeshtë ushtarak.

Për Veselin, çdo diskutim mbi një reduktim të mundshëm të rolit amerikan në rajon nuk mund të shihet i ndarë nga historia e sigurisë së Kosovës.

“Kudo që ka prani ushtarake amerikane, ai shtet dhe ai rajon janë më të sigurt”, argumenton ai.

Ish-koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli
Ish-koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli
Pse Kosova po lexohet ndryshe

Kjo është veçanërisht domethënëse duke pasur parasysh zhvillimet e javëve të fundit.

Sipas raportimeve të konfirmuara nga mediat amerikane dhe evropiane, Pentagoni anuloi papritur dërgimin në Poloni të Brigadës së Dytë të Blinduar Luftarake të Divizionit të Parë të Kalorësisë – një mision në të cilin disa pjesë të personelit dhe pajisjeve kishin nisur tashmë lëvizjen drejt Evropës.

Vendimi kapi në befasi edhe disa zyrtarë ushtarakë amerikanë, ndërsa NATO u detyrua të qetësojë aleatët duke deklaruar se ndryshimet në forcat rotacionale amerikane nuk ndikojnë planet e aleancës për parandalim dhe mbrojtje.

Paralelisht, administrata Trump ka bërë të ditur se rreth 5 mijë trupa amerikane do të largohen nga Gjermania brenda muajve të ardhshëm, duke e afruar praninë amerikane në Evropë me nivelet që ekzistonin përpara pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

Për shumë kryeqytete evropiane, mesazhi është i qartë: Washington-i po rishikon seriozisht shpërndarjen globale të forcave të veta ushtarake.

Në sfond qëndron një ndryshim më i gjerë strategjik i administratës Trump, e cila ka argumentuar prej kohësh se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj, ndërsa SHBA duhet të zhvendosë fokusin drejt Indo-Paqësorit, rivalitetit me Kinën dhe krizave në Lindjen e Mesme.

Në pamje të parë, Kosova mund të mos duket si prioriteti më i madh strategjik për Washington-in në një epokë të tillë.

Megjithatë, pikërisht këtu fillon paradoksi.

Sepse ndërsa SHBA redukton praninë në pjesë të tjera të Evropës, Kosova mbetet një nga vendet ku simbolika politike e pranisë amerikane shpesh peshon më shumë sesa vetë numri i trupave.

Bondsteel: baza që peshon më shumë se numrat

Kampi Bondsteel, pranë Ferizajt, mbetet një nga asetet më të rëndësishme amerikane në Ballkanin Perëndimor.

E ndërtuar pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, baza shërben si qendra kryesore amerikane e operacioneve në Kosovë dhe një nyje logjistike kyçe për praninë e NATO-s në rajon.

Shtetet e Bashkuara udhëheqin gjithashtu Komandën Rajonale Lindore brenda strukturës së KFOR-it, duke i dhënë pranisë amerikane një rol shumë më të madh sesa vetë numri i trupave mund të sugjerojë.

Sipas të dhënave të Council on Foreign Relations, rreth 690 trupa amerikane ndodhen aktualisht në Kosovë si pjesë e KFOR-it – një numër relativisht modest krahasuar me kontingjentet amerikane në Gjermani, Itali apo Poloni, por me peshë disproporcionale politike dhe strategjike për stabilitetin rajonal.

Për Veselin, kjo është pikërisht arsyeja pse prania amerikane në Kosovë nuk mund të shihet si një statistikë e zakonshme ushtarake.

“Ushtari amerikan mbron misionin dhe lirinë e Kosovës sikur të ishte duke mbrojtur vetë Amerikën”, argumenton ai, duke shtuar se roli amerikan në Kosovë ka një efekt parandalues që shkon shumë përtej dimensionit simbolik.

Ky argument nuk është i izoluar.

Vetëm disa muaj më parë, raportime në Washington mbi një rishikim të mundshëm të rolit amerikan në KFOR ndezën debat në Kongres dhe në NATO.

Një analizë e publikuar nga Center for European Policy Analysis (CEPA) argumentonte se një tërheqje e nxituar amerikane nga Kosova do të rrezikonte destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, do të dobësonte efektin parandalues të NATO-s dhe potencialisht do të krijonte hapësira të reja ndikimi për Rusinë dhe Serbinë.

Sipas analizës, prania amerikane në KFOR ka një efekt që shkon përtej dimensionit ushtarak: ajo funksionon si garanci politike e angazhimit afatgjatë të Washington-it në rajon.

Kampi Bondsteel, një nga bazat më të mëdha amerikane në Evropë, mbetet jo vetëm qendër operacionale, por edhe simbol i arkitekturës së sigurisë që ka mbështetur stabilitetin e Kosovës për më shumë se dy dekada.

Në këtë kuptim, përgjigjja e Pentagonit merr një peshë më të madhe sesa mund të duket në shikim të parë.

Ndërsa SHBA rishikon, Evropa po forcon KFOR-in

Në të njëjtën periudhë kur Washington-i po redukton praninë ushtarake në Gjermani dhe po rishikon angazhimin në Evropë, disa aleatë evropianë po sinjalizojnë vazhdimësi – madje forcim – të rolit të tyre në Kosovë.

Më 14 maj, Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi një vizitë të titullarit të institucionit, Lord Coaker, në Kosovë, ku ai vizitoi trupat britanike të dislokuara në bazën e KFOR-it në Novo Selo (Maxhunaj) dhe zhvilloi takime me autoritetet kosovare për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe përafrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me standardet e NATO-s.

Në deklaratën zyrtare, Londra e përshkroi vizitën si pjesë të angazhimit afatgjatë britanik për “paqen dhe stabilitetin rajonal” në Ballkanin Perëndimor.

Edhe Gjermania duket se po ecën në drejtim të kundërt me logjikën e reduktimit.

Më 12 maj, Bundestag-u gjerman nisi shqyrtimin e kërkesës së qeverisë federale për vazhdimin e pjesëmarrjes së forcave të armatosura gjermane në praninë ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë, një proces që pritet të trajtohet në komisionet parlamentare përpara vendimmarrjes finale.

Këto zhvillime sugjerojnë se, pavarësisht debatit amerikan për reduktime në Evropë, arkitektura euro-atlantike e sigurisë në Kosovë mbetet e konsideruar si një prioritet funksional.

Pse Kosova mund të jetë “përjashtimi”

Ka një arsye pse Kosova shihet ndryshe nga Gjermania apo Polonia.

Ndryshe nga vendet e tjera ku prania amerikane lidhet kryesisht me parandalimin klasik të NATO-s ndaj Rusisë, Kosova mbetet një territor ku KFOR-i funksionon ende si garantues i drejtpërdrejtë i sigurisë dhe stabilitetit të brendshëm.

Tensionet periodike në veri të Kosovës, marrëdhëniet e brishta me Serbinë dhe shqetësimet e vazhdueshme të NATO-s për destabilizim rajonal kanë bërë që çdo lëvizje amerikane të lexohet jo vetëm në termat e mbrojtjes, por edhe të psikologjisë politike.

Për Veselin, pikërisht ky dimension e bën Kosovën të ndryshme.

“Kosova nuk besoj se do të preket nga këto zhvillime”, thotë ish-koloneli i FSK-së, duke argumentuar se roli amerikan në rajon mbetet shumë më i madh se një llogaritje e thjeshtë e kostove ushtarake.

Megjithatë, ai paralajmëron se kjo nuk duhet të merret si e mirëqenë.

“Kosova dhe çdo qeveri e saj duhet ta kenë prioritet anëtarësimin në NATO. Pa Amerikën, kjo kurrë nuk do të ndodhë”, shton ai.

Në këtë kontekst, formulimi i Pentagonit mbetet po aq interesant sa vetë përmbajtja e tij.

Washington-i nuk tha se nuk do të ketë ndryshime në të ardhmen – vetëm se aktualisht nuk ka ndryshime për t’u njoftuar.

Dhe kjo nuancë ka rëndësi.

Për më shumë se dy dekada, prania amerikane në Kosovë ka qenë më shumë se një mision ushtarak – ka qenë një deklaratë politike.

Dhe të paktën për tani, Washington-i nuk duket i gatshëm ta tërheqë atë deklaratë.