Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 12 maj e miratoi propozim Ligjin për dislokimin e kazinove nga institucionet arsimore në 500 metra largësi. Sipas procedurës, ligji duhet të votohet në Kuvend në periudhën që vjen. Megjithatë, ajo që bie në sy është se koalicioni VLEN i cili është në pushtet, ndryshe premtoi dhe ndryshe veproi. Ky koalicion para se të bashkohet në një parti, e ndërtoi identitetin e tij elektoral rreth premtimit radikal, mbylljen e të gjitha kazinove dhe largimin e bixhozit nga jeta e përditshme e qytetarëve. Ky premtim nuk ishte vetëm një pikë programore, por një betim moral që synonte të rezononte me familjet shqiptare të cilat e shihnin bixhozin si shkaktarin kryesor të rrënimit ekonomik dhe social. Me ligjin e ri, ekziston një hendek midis pritshmërisë të votuesve për mbyllje totale të menjëhershme dhe planit qeveritar për reduktim gradual dhe rregullim, shkruan Portalb.mk.
Çështja e kazinove ka qenë pjesë e debatit publik për vite me radhë mes partive politike në RMV madje dhe përpjekje për të rregulluar industrinë e lojërave të fatit ka pasur disa herë në të kaluarën, por pa sukses. Partitë shqiptare kanë akuzuar shpesh herë njëra tjetrën që po favorizojnë industrinë e kazinove në kurriz të të rinjve dhe qytetarëve të vendit.
Portalb.mk ju sjell një kronologji të reagimeve dhe premtimeve të VLEN-it dhe si u transformua premtimi nga mbyllja totale e kazinove fizike në kufizimin e tyre në vetëm 500 metra nga shkollat dhe licencimin e vetëm disa nga kazinove online.
-
2024
Janar – Lidhja Evropiane për Ndryshim (që më vonë formoi VLEN-in) e akuzoi qeverinë se përmes formës online po fut kazinot në çdo shtëpi.
Shkurt – Më 7 shkurt 2024, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut i miratoi ndryshimet në Ligjin për Lojërat e Fatit, të cilat u mbështetën nga ish partitë në pushtet BDI dhe LSDM. Megjithatë, ish-Presidenti Pendarovski, atë kohë refuzoi ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit. Ndryshimet e propozuara në Ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse parashikuan që hapësirat ku organizohen lojërat e fatit të jenë jo më pak se 500 metra larg shkollave.
VLEN e kundërshtoi këtë propozim ligj, duke thënë se nuk do të zgjidh çështjen e lojërave të fatit dhe nuk do t’i mbyllë kazinot plotësisht kurse nuk largohen as bastoret.
“Me këtë ligj Artan Grubi do t’i largoj bastoret por jo dhe kazinot. VLEN kërkon urgjentisht që të largoj jo vetëm bastoret por edhe kazinot”, thoshte Izet Mexhiti nga VLEN.
Shkurt – Më 22 shkurt, VLEN ngriti alarmin nga Çarshia e Shkupit duke akuzuar pushtetin e atëhershëm për rritjen e industrisë së kumarit dhe duke shpalosur zotimet kundër lojërave të fatit.
Mars – Koalicioni deklaroi zyrtarisht: “Ne si opozitë jemi VLEN, dhe VLEN është anti-bixhoz”, duke premtuar mbyllje të tërësishme të lojërave të fatit, bastoreve dhe kazinove.
Gjatë fushatës parazgjedhore të vitit 2024 por dhe më pas, liderët e VLEN-it, duke përfshirë Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin, përdorën një retorikë të ashpër kundër qeverisjes së atëhershme të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke i akuzuar ata për “ujitjen e llumit” të bixhozit. Kjo retorikë u përforcua përmes videove të shumta në platformat sociale dhe intervistave televizive, ku theksohej se çdo kazino e hapur ishte një goditje ndaj rinisë dhe perspektivës së vendit.
Prill – Në një nga tubimet e prillit 2024, kandidati presidencial i VLEN-it, Arben Taravari shpalosi zotimin programor për mbylljen e plotë të kazinove dhe largimin e bixhozit nga zonat e banuara.

Maj – “I dashur votues, Klani i kazinove dhe bixhozit është në panik. Ata e dinë se me shkuarjen e BDI-së në opozitë do të mbyllen kazinot dhe bastoret, e qytetarët do të shpëtojnë nga epidemia e bixhozit dhe korrupsionit politik.” shkruan në mesazhin e tij drejtuar votuesve, Izet Mexhiti.
Qershor – VLEN prezantoi programin “Plani 2030”. Në faqen 16 të programit, çështja e bixhozit dhe kazinove është e trajtuar në mënyrë specifike nën kapitullin për mirëqenien sociale dhe mbrojtjen e familjes. VLEN zotohet për mbylljen e menjëhershme të të gjitha platformave të bixhozit online. Plani thekson se këto platforma kanë futur bixhozin në çdo shtëpi dhe pajisje celulare, duke dëmtuar rininë. Programi parasheh që objektet e lojërave të fatit (kazinot dhe bastoret) të largohen nga qytetet dhe të zhvendosen në vende të izoluara apo zona specifike jashtë zonave urbane, me qëllim që të mos jenë të aksesueshme pranë shkollave dhe vendbanimeve. Në tekst përmendet rishikimi i të gjitha licencave të lëshuara deri më tani për kazinot, me pretendimin se shumë prej tyre janë dhënë në mënyrë të paligjshme ose përmes korrupsionit nga qeverisja e kaluar.
Pas ardhjes në pushtet:
Pas marrjes së pushtetit në vitin 2024, koalicioni VLEN nisi një plan për përmbushjen e premtimit parazgjedhor për luftimin e bixhozit, duke ndërmarrë hapa fillestarë si kërkesa për interpretim autentik të ligjit dhe shfuqizimi i koncesioneve për disa platforma online si “Mozzart”, “Bits 77”, “Vezuv” dhe “2win.mk”. Ndërkaq, platforma shtetërore online “Megawin” mbeti jashtë këtyre masave, përkundër zotimeve publike të zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti për mbylljen e saj të shpejtë, platforma vazhdoi të operojë pa pengesa dhe të zhvillojë fushata të fuqishme reklamuese edhe gjatë vitit 2026.
Korrik 2024– Ligji për lojërat e fatit i propozuar tani nga koalicioni Fronti Evropian, kurse më herët si ndryshime ligjore nga qeveria LSDM-BDI, sërish u kthye në Kuvend. Por, u largua nga rendi i ditës pas miratimit të propozimit për interpretim autentik të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërave zbavitëse.
Gusht 2024– Më 26 gusht, 2024 në një paraqitje mediatike, Izet Mexhiti tha se një nga premtimet e tyre parazgjedhore ishte se do të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për të trajtuar një nga dukuritë më negative shoqërore, bixhozin. “Hapi i parë i këtij plani është largimi i lojërave të fatit nga shtëpitë.” tha ai.
Shtator 2024 – Qeveria solli vendim të ndalohet bixhozi online për disa kompani në Maqedoninë e Veriut, por jo dhe Megawin e cila e mori monopolin e lojrave online dhe punon ligjshëm në gjithë vendin. Mbyllja e kazinove sipas zëvendëskryeministrit të parë Izet Mexhiti, llogaritet si një ndër të arriturat e mëdha të cilat i ka arritur koalicioni VLEN, e që ishte premtim kryesor i këtij koalicioni gjatë fushatës zgjedhore. “Nuk e kemi ndërmend të ndalemi deri në largimin e të gjitha kazinove e bastoreve nga vendbanimet tona, nga familjet tona, nga fëmijët tanë.” tha ai.
Por, kjo ishte vetëm fillimi i një zvarritje procedurale për miratimin e ligjit për luftimin e bixhozit.
-
2025
Në janar të vitit 2025 deputetët e Kuvendit të RMV-së dhanë mbështetje unanime në leximin e parë të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për komunikime elektronike, i cili i qaset rregullimit të lojërave të fatit online dhe sanksionimit të keqpërdorimeve. Me këtë vendim, deri më tani, janë ndaluar 358 platforma ilegale të huaja online, thonë nga Qeveria.
Në qershor, Izet Mexhiti mbrëmë gjatë hapjes së Shtabit Qendror në Shkup tha se po mbyllin kazinot, duke mos specifikuar se bëhet fjalë për ndalesë të kazinove online. Ndaj kësaj reagoi Aleanca për Shqiptarët duke theksuar se deklarata e tij për mbylljen e kazinove pranë shkollave është manipulim.
-
2026
Analiza e deklaratave të përfaqësuesve të VLEN-it tregon se ka evolucion të premtimit, nga një sllogan elektoral absolut “mbyllja e të gjithave” në një proces rregullator dhe reduktues “largimi nga shtëpitë” dhe “reduktimi me 50%”. Madje, pjesa më e madhe e këtyre masave tashmë ishin pjesë e ndryshimeve ligjore që u propozuan më 7 shkurt të vitit 2024. Ky është një nuancim i rëndësishëm i premtimit fillestar, ndërsa në fushatë flitej për “mbyllje të të gjithave”, në qeveri flitet për një proces reduktimi drastik përmes rritjes së kritereve të distancës dhe tarifave të licencimit.
Për më shumë, propozim ligji i VLEN-it i miratura më 12 maj në Qeverui, është i ngjashëm me masat e vitit 2024 që VLEN nuk i votoi duke pasur në thelb kufizimet e reklamimit dhe distancat me pretekstin se nuk do të largohen bastoret. Por, edhe në këtë ligj të VLEN-it, për dallim nga kazinotë dhe klubet me aparate, pikat e basteve nuk do të duhet të zhvendosen dhe do të mbeten në vendet e tyre ekzistuese.
“Me këtë ligj parashihet që të gjitha objektet ku organizohen lojëra të fatit, në kazinot, klubet e automatëve dhe lojërat elektronike të fatit, të jenë të vendosura së paku 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme. Në bastoret që ndodhen brenda një rrezeje prej 500 metrash nga shkollat nuk do të lejohet vendosja e terminaleve elektronike video-lotari dhe pajisjeve të tjera për lojëra elektronike të fatit. ”, deklaroi Azizi. Ajo tha se ligji sjell kufizime në reklamimin e lojërave të fatit, duke ndaluar promovimin që i paraqet ato si rrugë drejt suksesit financiar ose që synon të miturit, si dhe përdorimin e personazheve publike në reklama.
Edhe pse ligji u miratua nga Qeveria në janar të 2025 duke mos siguruar version në gjuhën shqipe dhe u premtua se do të vendoset në rend dite disa herë, ai u mbyll në sirtarët e Kuvendit gjatë tërë vitit 2025. Në prill të vitit 2026 ligji madje u tërhoq nga Kuvendi, me arsyetime për ndërhyrje dhe plotësime teknike në ligj. Arsyetimi i liderëve të VLEN-it ishte se punohet për zgjidhje e cila do të jetë e qëndrueshme.
Projektligji nuk e zgjidh problemin

Ndryshimi i premtimeve, mosmbyllja e “Megawin” dhe propozimi i ri ligjor ka nxitur një përplasje të ashpër politike, ku opozita e udhëhequr nga BDI ka nisur një kundërsulm duke e akuzuar VLEN-in për tradhti të premtimeve dhe duke i vendosur Mexhitit etiketën ironike “Izet Megavin Mexhiti”. BDI pretendon se kazinot po e zgjerojnë biznesin në Çair dhe se emërimet e reja në bordet e Lotarisë Shtetërore synojnë kontrollin e parave të bixhozit dhe jo zhdukjen e tij.
Nga opozita gjithashtu akuzojnë se ky propozim ligj nuk e parasheh zgjidhjen e problemit në thelb, por vetëm për ta mbuluar sipërfaqësisht problemin. Sipas tyre, kazinot kanë pasur dyert e hapura gjithandej dhe kanë hapur pika gjithandej dhe pazgjedhur lokacion.
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Elmi Aziri, për Portalb.mk, tha se ata si parti politike dy herë kanë dorëzuar në Kuvend propozim ligj, për lojërat e fatit me të cilin propozim ligj është paraparë të shmangen komplet lojërat e fatit nga vendbanimet dhe të vendosen në hotelet me pesë yje.
“Ky është modeli që besojmë se është më i miri për t’i shmangur lojërat e fatit nga shtëpitë e tona dhe nga fëmijët tanë. Por fatkeqësisht të dy herët radhazi që kemi propozuar nuk është pranuar propozim ynë si gjatë legjislaturës së kaluar ashtu edhe gjatë kësaj legjislature. Mendoj se shembulli i Kosovës dhe Shqipërisë, është ndër shembujt më të mirë për zgjidhjen e problemit me kazinot”, tha Aziri.
“Ky propozim ligj ashtu siç është për momentin nuk e zgjidh problemin me kazinot por vetëm sipërfaqësisht do të mbuloj problemin”, nënvizoi në fund Aziri.
Ai shtoi se pasi Kosova dhe Shqipëria, çrrënjosën tërësisht kazinot, vendi ynë është shndërruar në një “deponi” të kazinove, ku janë hapur në çdo kënd dhe po helmojnë të rinjtë tanë.
Xhemal Abdiu, nga Lëvizja Anti-Bixhoz, për Portalb.mk, tha se janë duke e ndjekur me vëmendje zhvillimet rreth ligjit për kazinot. Ai tha se Lëvizja Anti-Bixhoz, vazhdon të ketë qëndrimin se kazinot duhet të jenë tre kilometra larg nga vendbanimet.
“Deri më tani kjo çështje ka qenë pjesë e debateve politike dhe partitë kanë bërë premtime të mëdha dhe me fjalë elozhe rreth mbylljes së kazinove. Lëvizja Anti-Bixhoz është duke ndjekur me përkushtim dhe në ditët në vazhdim, pasi të analizojmë propozim ligjin do të dalim me një qëndrim më preciz rreth këtij propozim ligji”, tha Abdiu.
Lojërat e fatit të ligjshme sjellin çdo vit më shumë se 350 milionë euro
Një sfidë e heshtur për VLEN është dhe zëvendësimi i të ardhurave buxhetore që vijnë nga industria e bixhozit. Ndërsa në Shqipëri u vendos që të ardhurat nga bastet e ri-legalizuara të shkojnë për projekte sociale, në Maqedoninë e Veriut ende nuk ka një plan të qartë se si do të mbulohet “vrima” financiare që mund të krijohet nga mbyllja e 50% të objekteve.
Nga Shoqata “Dua të punoj”, e cila përfaqëson punonjësit në këtë sektor, paralajmëruan se zgjidhjet e propozuara mund të çojnë në mbylljen e objekteve ligjore dhe humbjen e mijëra vendeve të punës.
Ata besojnë se parashikimi për një distancë prej 500 metrash është “plotësisht jofunksional” dhe paralajmërojnë se kjo mund të çojë në mbylljen e objekteve ligjore dhe një pjesë e aktivitetit të transferohet në kanale të paligjshme.



