Debati i zhvilluar në TV Shenja lidhur me ligjin për regjistrimin e popullsisë të vitit 2021 hapi një temë e cila disa ditë është përdorur për dezinformim politik ndaj bashkëkryetarit të VLEN-it, Izet Mexhiti.
Gjatë emisionit, u insistua në pretendimin se Mexhiti kishte votuar ligjin që bëri ndarjen e qytetarëve në rezidentë dhe jorezidentë. Megjithatë, pas verifikimeve zyrtare dhe dokumenteve të dorëzuara, rezultoi qartë se ai nuk ka marrë pjesë fare në seancën parlamentare të 21 janarit 2021, kur është votuar ky ligj, që nënkupton se nuk e ka votuar dhe as mbështetur atë.
Për këtë arsye, VLEN e përshëndet qëndrimin korrekt dhe profesional të gazetarit Abedin Ismaili, i cili publikisht sqaroi faktet dhe informoi opinionin ashtu siç e kërkon etika profesionale e gazetarisë.
Në një kohë kur propaganda dhe manipulimet politike shpesh tentojnë të zëvendësojnë të vërtetën, akti i pranimit publik të fakteve dhe korrigjimit të informacionit përbën shembull të standardit që duhet ta ndjekin mediat dhe debati publik.



