Kapen hajnat e biçikletave në Shkup

Policia e Shkupit ka arrestuar dy persona 22-vjeçarë nga fshati Saraj, të dyshuar për vjedhjen e një biçiklete para një palestre në kryeqytet më 12 maj 2026, përcjell TV21. Sipas autoriteteve, pas denoncimit të rastit, policia ka identifikuar dhe ndaluar shpejt të dyshuarit, ndërsa biçikleta është gjetur dhe i është kthyer pronarit. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre pritet të ngrihet kallëzim penal.

“Më 13.05.2026, zyrtarë policorë të SPB Shkup kanë privuar nga liria E.H. (22) dhe M.I. (22) nga fshati Saraj, Shkup, duke vepruar pas një denoncimi të A.S. më 12.05.2026 se para një palestre në Shkup i ishte marrë një biçikletë. Menjëherë pas denoncimit të marrë, janë ndërmarrë masa dhe aktivitete të duhura nga zyrtarët policorë, autorët janë identifikuar dhe arrestuar në stacion policor, ndërsa biçikleta i është kthyer pronarit. Pas dokumentimit të rastit, ndaj tyre do të ngrihet kallëzim përkatës penal”, thonë nga MPB.