Shefi i Armatës së RMV-së për vizitë zyrtare në Shqipëri

Armata e Maqedonisë së Veriut konfirmoi përkushtimin për avancimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit ndërushtarak gjatë vizitës zyrtare të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneralmajorit Sashko Lafçiski, në Shqipëri. Gjatë vizitës në Tiranë, gjeneralmajori Lafçiski zhvilloi takime në nivelin më të lartë ushtarak dhe shtetëror, ku u diskutua për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy ushtrive, transmeton Portalb.mk.

Në kuadër të vizitës, Lafçiski u takua edhe me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, me të cilin bisedoi për situatën e sigurisë në rajon, bashkëpunimin aleat dhe sfidat e përbashkëta në mjedisin bashkëkohor të sigurisë. Në takim u theksua bashkëpunimi i mirë bilateral ndërmjet Armatës dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë, veçanërisht në fushën e trajnimeve të përbashkëta, stërvitjeve dhe pjesëmarrjes në aktivitetet rajonale dhe të NATO-s, si kontribut i rëndësishëm për sigurinë rajonale dhe kolektive.

Pas pritjes me nderime të larta ushtarake në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë, Lafçiski zhvilloi takime të ndara me homologun e tij, gjeneralnënkolonelin Arben Kingji, si dhe me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi.

Në takimin ndërmjet shefave të shtabeve të përgjithshme u diskutua për avancimin e bashkëpunimit ushtarak përmes aktiviteteve të përbashkëta, trajnimeve dhe stërvitjeve, pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare, sfidat aktuale të sigurisë, si dhe mundësitë për shfrytëzimin e kapaciteteve që posedojnë të dy ushtritë dhe bashkëpunimin reciprok në menaxhimin e krizave.

Bashkëpunimi ushtarak dhe avancimi i tij si faktor i rëndësishëm për sigurinë rajonale dhe kolektive ishte temë diskutimi edhe në takimin e Lafçiskit me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi.

Gjatë bisedimeve u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet dy ushtrive për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon, si dhe kontributi në kuadër të NATO-s. Me këtë rast u konfirmua përkushtimi i përbashkët për avancimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit bilateral ushtarak.

Delegacioni i Armatës vizitoi edhe Regjimentin për Operacione Speciale të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ku u njoh me misionin, detyrat dhe kapacitetet e njësisë, si dhe u realizua një demonstrim i një pjese të kapaciteteve operative të saj.

Armata e Maqedonisë së Veriut ka bashkëpunim të zhvilluar bilateral me Forcat e Armatosura të Shqipërisë, veçanërisht në fushën e arsimit ushtarak, trajnimeve dhe stërvitjeve, si në plan bilateral ashtu edhe në kuadër të Kartës së Adriatikut, Forumit të shefave të shtabeve të ushtrive të vendeve të Ballkanit dhe procesit SEDM. Vizita në Shqipëri vlerësohet si një mundësi e shkëlqyer për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy ushtrive.