Ferit Hoxha i bën gjëmën Ramës në Itali, kryeministri reagon i tërbuar

Ministri i Jashtëm shqiptar ‘shpalli’ sot fundin e marrëveshjes me Romën për qendrat e pritjes së refugjatëve në Gjandër, pa koordinim me Tiranën.

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha i bëri ‘gjëmën’ Edi Ramës me një deklaratë të papritur dhe të pakoordinuar dhënë nga Brukseli, duke shpallur se Shqipëria nuk do ta rinovojë marrëveshjen historike me Italinë për qendrat e migrantëve, duke shkaktuar alarm të menjëhershëm në Romë dhe siklet diplomatik për Tiranën.

Duke folur në platformën Euractiv, Hoxha u shpreh: ‘Marrëveshja ka një afat pesëvjeçar dhe nuk jam i sigurt se do të ketë rinovim. Dhe gjithsesi nuk do të ketë asnjë rinovim sepse do të jemi anëtarë të Bashkimit Europian.’

Fjalët e tij shkaktuan valë befasie dhe shqetësimi në Romë duke sjellë reagime të shumta politike kundër qeverisë së Giorgia Melonit, duke e cilësuar këtë projekt si të vdekur dhe mjat të gabuar. Por kjo deklaratë ka alarmuar edhe Edi Ramën, i cili u detyrua të ndërhyjë personalisht për të shuar zjarrin.

Kryeministri shqiptar e cilësoi deklaratën e ministrit të tij si ‘citim keqdrejtues’ dhe hodhi poshtë çdo dyshim mbi të ardhmen e protokollit: ‘Marrëveshja me Italinë është bërë për të qëndruar, për sa kohë Italia e dëshiron.’

Edhe ministri i jashtëm italian Antonio Tajani është kapur në befasi. Pasi u pyet nga gazetarët mbi deklaratat e Hoxhës, me të cilin ishte takuar pikërisht sot gjatë një mbledhjeje të grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor në Bratislavë, Tajani u shpreh: ‘Nuk më tha asgjë, por ka bashkëpunim të madh.’ Duke e mbajtur tonin të qetë, ministri italian shtoi: ‘Viti 2030 është larg, le të mendojmë për atë që duhet të bëjmë tani.’