SHBA-ja dhe Kina janë dakorduar për kundërshtimin e taksave në Hormuz

Zyrtarë të lartë amerikanë dhe kinezë kanë rënë dakord se asnjë vendi nuk mund t’i lejohet të vendosë tarifa transporti detar në Ngushticën e Hormuzit, ka bërë të ditur Departamenti i Shtetit për Reuters të martën, në një shenjë se të dy vendet po përpiqen të gjejnë terren të përbashkët në përpjekjet për të ushtruar presion mbi Iranin që të heqë dorë nga kontrolli i rrugës shumë të rëndësishme ujore.

Deklarata e Departamentit të Shtetit vjen përpara samitit historik midis presidentit, Donald Trump dhe atij kinez Xi Jinping në mesin e kësaj jave, ku kontrolli i Iranit mbi ngushticën do të jetë në agjendë.

Mbyllja pothuajse e plotë e arteries tregtare jetësore nga Irani që nga sulmet ajrore të përbashkëta izraelito-amerikane mbi vendin më 28 shkurt, ka shkaktuar tronditje në tregjet globale të energjisë.

Departamenti i Shtetit ka thënë se ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi dhe sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio diskutuan çështjen në një telefonatë në prill.

“Ata ranë dakord se asnjë vendi ose organizate nuk mund t’i lejohet të vendosë tarifa për të kaluar nëpër rrugët ujore ndërkombëtare si Ngushtica e Hormuzit”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit Tommy Pigott për Reuters në përgjigje të pyetjeve në lidhje me telefonatën.

Ambasada e Kinës nuk e ka kundërshtuar versionin e SHBA-së për diskutimin, duke thënë se shpresonte që të gjitha palët të mund të bashkëpunonin për të rifilluar trafikun normal përmes ngushticës, nëpër të cilën para luftës kalonte rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe gaz.

Teherani ka kërkuar të drejtën për të mbledhur taksat mbi trafikun detar si parakusht për t’i dhënë fund luftës.

SHBA-ja kanë vendosur një bllokadë detare ndaj Iranit dhe Trumpi ka hedhur poshtë mundësinë e vendosjes së tarifave të veta mbi trafikun ose të bashkëpunojë me Iranin për të mbledhur taksat.

Pas kundërshtimeve vendase dhe ndërkombëtare, Shtëpia e Bardhë ka thënë që atëherë se Trumpi dëshiron ta shohë Ngushticën e Hormuzit të hapur për trafik pa asnjë kufizim.