NATO-ja dhe Serbia nisin stërvitjet e para të përbashkëta afër Bujanocit

NATO-ja dhe ushtria e Serbisë i kanë filluar stërvitjet e para të përbashkët ushtarake të martën në bazën ushtarake “Jugu” dhe poligonin e stërvitjes “Borovc” pranë Bujanocit, në jug të vendit, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.

Stërvitjet do të mbahet deri më 23 maj, nën organizimin e Komandës së Forcave Tokësore dhe Komandës së Forcave të Përbashkëta nga Napoli.

Në këto stërvitje po marrin pjesë rreth 600 pjesëtarë të ushtrisë serbe dhe forcave të armatosura të Italisë, Rumanisë dhe Turqisë.

Pjesëmarrës janë gjithashtu edhe planifikues dhe vëzhgues ushtarakë nga Britania e Madhe, Italia, Gjermania, Rumania, Shtetet e Bashkuara, Serbia, Turqia, Franca dhe Mali i Zi.

Udhëheqësi i stërvitjes është koloneli Branisllav Stevanoviq, zëvendëskomandant i Brigadës së Tretë të Ushtrisë së Serbisë.

“Gjatë aktiviteteve dyjavore në terren, do të praktikohen taktikat, teknikat dhe procedurat e përdorura në operacionet e mbështetjes së paqes, siç janë siguria në baza, puna në pikat e kontrollit, kontrolli i tubimeve masive dhe luftimet urbane”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.

Sipas Ministrisë, stërvitja përfaqëson një vazhdim të bashkëpunimit midis Serbisë dhe NATO-s në kuadër të programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s.

“Ky bashkëpunim i shërben qëllimit të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon, përmirësimit të aftësive operacionale të forcave të armatosura dhe forcimit të besimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë”, thuhet në njoftim.