Ministri Durmishi në Procesin e Berlinit: Punësimi cilësor dhe zhvillimi ekonomik mbeten prioritet i Qeverisë

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, mori pjesë në panelin “Promovimi i punësimit: Strategji efektive për tregje pune të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, i organizuar në kuadër të Procesit të Berlinit, ku theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj reformave që avancojnë tregun e punës dhe rrisin konkurrueshmërinë ekonomike të vendit.
Në fjalimin e tij, ministri Durmishi potencoi se një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet vendi është mospërputhja ndërmjet ofertës dhe kërkesës në tregun e punës, pavarësisht numrit të lartë të personave të papunësuar dhe vendeve të lira të punës.
“Është e domosdoshme që arsimi dhe trajnimet profesionale të harmonizohen me nevojat reale të sektorit privat. Vetëm në këtë mënyrë mund të krijojmë fuqi punëtore konkurruese dhe vende pune cilësore për qytetarët tanë”, deklaroi Durmishi.
Ai nënvizoi se Qeveria vazhdon të zbatojë masa aktive për punësim përmes planeve operative vjetore, të cilat përfshijnë trajnime në kushte reale të punës, mbështetje për ndërmarrjet dhe programe për vetëpunësim.
Sipas ministrit, masa për vetëpunësim po jep rezultate konkrete, duke nxitur sipërmarrësinë dhe hapjen e bizneseve të reja, ndërsa njëkohësisht po krijohen mundësi të reja për punësim, veçanërisht për të rinjtë.
Durmishi foli edhe për rëndësinë e luftës kundër ekonomisë informale dhe avancimit të legjislacionit të punës, duke theksuar se formalizimi i punës dhe krijimi i kushteve fleksibile për angazhim janë thelbësore për një treg pune më funksional dhe më të drejtë.
Në kuadër të Procesit të Berlinit, ai theksoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.
“Përmes reformave ekonomike, përmirësimit të klimës afariste dhe lehtësimit të mobilitetit të fuqisë punëtore, po ndërtojmë bazë të qëndrueshme për zhvillim afatgjatë dhe integrim më të shpejtë evropian”, theksoi ministri Durmishi.
Ai shtoi se për vitin 2025 janë siguruar rreth 40 milionë euro për masat aktive të punësimit, me të cilat planifikohet të përfshihen mbi 10 mijë persona të papunësuar në programe dhe masa konkrete për integrim në tregun e punës.