Spitali në Bardovcë pa staf dhe me kushte të mjerueshme, drejtori Avdullai: Ka filluar rikonstruimi i pjesshëm i spitalit

Mungesa e stafit, nuk është sfida e vetme me të cilën përballet spitali psikiatrik “Bardovcë” në Shkup. Kushtet e vështira e rëndojnë edhe më shumë punën e personelit të angazhuar në këtë institucion.

E për të lehtësuar sado pak kushtet e punës së mjekëve po edhe qëndrimin e personave që marrin trajtim në këtë klinikë, drejtori Isa Avdullai ka filluar rikonstruimin e pjesshëm të kësaj klinike.

Rikonstruimi ka filluar nga reparti i psikiatrisë urgjente për meshkuj që sipas drejtorit Avdullai ka qenë në gjendje skajshmërisht të keqe dhe të papërballueshme.

ISA AVDULLAI, DREJTOR I SPITALIT PSIKIATRIK “BARDOVCË”

Është repart i psikiatrisë urgjente, dmth rastet urgjente çka i pranojmë, fillimisht i vendosim këtu në këtë repart. Pasi që ky repart ishte ai reparti me kushte më të këqia nëse mund të them më mizore me vet ardhjen time si drejtor dhe me vet marrjen e detyrës, kisha për qëllim që së pari të fillojmë te ky repart. Është repart që javën e kaluar kemi filluar ta rikonstruojmë. Momenti kur filluam rikonstruimin këtu kishte 57 pacient edhe pse kapaciteti është 40 shtretër ishte i stërmbushur.

Ndërsa, përgjatë periudhës së rikonstruimit, pacientët që kanë nevojë për trajtim siç njoftoi Avdullai pritret të pranohen në repartet dhe spitalet tjera shtetërore. Ndërkaq, pacientët që janë të shtruar në repartin që aktualisht po rikonstruohet janë shpërndarë në repartet tjera që janë nën kompetencë të spitalit psikiatrik.

ISA AVDULLAI – DREJTOR I SPITALIT PSIKIATRIK “BARDOVCË”

Sfidën kryesore e kemi me stafin, dmth kemi mungesë të stafit shëndetësorë dhe buxhetin. Mirëpo mendoj se me një menaxhim të mirë, kjo pjesa buxhetore mund të krijohen kushte. Tash shpresojmë prej ministrisë që të na japin staf shëndetësorë që sado pak të rritet stafi shëndetësorë që të mund të funskionojë spitali si spital.

Spitali psikiatrik Bardovcë është spital në të cilën janë të shtruar dhe trajtohen pacientët dhe qytetërët me të meta mendore dhe trajtimi i tyre është sfidë në vete, megjithatë, atë e vështirëson edhe më shumë, vjetërsia e objekteve dhe mungesa e kushteve elementare.