E-buletini përfshin edhe raste konkrete nga praktika gjyqësore, mes tyre vendime për falsifikim parash, pastrim parash përmes punësimeve fiktive dhe kontrabandë migrantësh. Në një nga rastet, një i akuzuar është dënuar me tre vite e gjashtë muaj burg për pjesëmarrje në grup të organizuar për falsifikim parash, ndërsa në një rast tjetër për kontrabandë migrantësh është shqiptuar dënim me tetë muaj burg dhe dëbim nga shteti.
Gjykata, thuhet në buletin, përmes një segmenti të veçantë, synon të edukojë publikun edhe për procedurat lidhur me kundërvajtjet në trafik, duke sqaruar se qytetarët kanë afat prej tetë ditësh për të kërkuar procedurë gjyqësore nëse nuk e pranojnë përgjegjësinë.
Në një intervistë brenda e-buletinit, kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, thekson se besimi në gjyqësor ndërtohet përmes informimit në kohë, komunikimit të qartë dhe veprimit profesional.

“Besimi në gjyqësor ndërtohet gradualisht, përmes veprimit transparent, të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm”, thotë Kambovski, duke paralajmëruar rritje të qasjes ndaj vendimeve gjyqësore dhe komunikim më intensiv me publikun.
Nga gjykata theksojnë se qëllimi i e-buletinit është të ofrojë informacion të qartë dhe të kuptueshëm për punën e institucionit, por nënvizojnë se përmbajtja ka karakter informues dhe edukativ dhe nuk përbën këshillë juridike.
Në pjesën për krimin e organizuar dhe korrupsionin, gjykata njofton se janë caktuar masa të ndryshme, përfshirë paraburgime efektive, paraburgime shtëpiake dhe masa kujdesi, si dhe janë dhënë vendime bazuar në marrëveshje pranimi faji.
Ndryshe, edhe pse gjatë vitit 2025 kishte më shumë gjyqtarë aktivë në vend krahasuar me vitin 2024, numri i gjykatave që janë vlerësuar si efikase për vitin e kaluar është më i vogël.
Në vitin 2024, 18 gjykata ishin vlerësuar si efikase, ndërsa vitin e kaluar ky numër u ul për dy, duke arritur gjithsej 16 gjykata që arritën të zgjidhnin më shumë çështje nga fondi i mbetur nga viti paraprak dhe ato të pranuara gjatë vitit.
Këto të dhëna u prezantuan në mars të këtij viti në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor.
Sipas të dhënave të prezantuara, rezulton se më pak se gjysma e gjykatave në vend gjatë vitit të kaluar arritën të përballonin numrin e çështjeve.
Ky përfundim nxirret duke marrë parasysh se në vend ka gjithsej 34 gjykata, prej të cilave 27 janë themelore, katër të apelit, një administrative, një lartë administrative dhe ajo supreme.

Megjithatë, sipas gjyqtareve raportuese dhe kolegëve të tyre që morën pjesë në diskutim, kjo gjendje nuk lidhet me angazhimin e pamjaftueshëm të gjyqtarëve, por me mungesën e punonjësve gjyqësorë.
Ndryshe, në raportin e Institutit për Politika Evropiane në pjesën për Gjyqësorin thuhet se gjatë periudhës tetor 2024 – shtator 2025, sistemi gjyqësor në Republikën e Maqedonisë së Veriut u përball me sfida të vazhdueshme në aspektin e transparencës, pavarësisë dhe qëndrueshmërisë institucionale. Megjithëse u shënuan disa hapa pozitivë, si transmetimi i drejtpërdrejtë i seancave dhe përmirësimi i publikimit të vendimeve, mungesa e arsyetimeve të detajuara dhe komunikimit profesional me publikun mbetet problem serioz. Pavarësia financiare e gjyqësorit vazhdon të jetë e cenuar për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm dhe kufizimeve në punësime.
Ndërkohë, deklaratat e përfaqësuesve të pushtetit ekzekutiv krijojnë perceptim për presion politik mbi gjyqësorin. Digjitalizimi po avancon, por ende ekzistojnë boshllëqe në automatizimin e plotë të proceseve, veçanërisht në prokurori.


