Kapan Hani në harresë, kontesti pronësor po e shuan trashëgiminë e Çarshisë së Shkupit

Kontesti pronësor i pazgjidhur me vite me radhë midis Bashkësisë Fetare Islame (BFI) dhe shtetit e ka lënë në harresë objektin e Kapan Hanit në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, pa mirëmbajtje dhe investime. Në ndërkohë, Komuna e Çairit edhe pse ka premtuar se do të investojë në këtë objekt, në terren nuk ka lëvizur asgjë, shkruan Portalb.mk

Relacionet e tejzagjatura të kthimit të pronave në Maqedoninë e Veriut po dëmtojnë edhe objektet e trashëgimisë kulturore me rëndësi të veçantë. Fatin e tillë e ka edhe objekti Kapan Hani, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

Gjendja e objektit të Kapan Hanit nuk i ngjan një objekti të trashëgimisë kulturore, kullosa të pakositura, zona përreth është e mbushur me mbeturina ndërsa pluhuri ka pushtuar çdo cep.

Rrobaqepësi Jonuz, i cili ka punëtorinë brenda Kapan Hanit, për Protalb.mk tha se ka kaluar një kohë e gjatë nga koha kur është investuar në Kapan Han dhe nuk ka parë ndryshime për vite me radhë.

“Përveç turistëve, problemi është se edhe klientët e mundshëm nuk e frekuentojnë për shkak papasërtisë për rreth Kapan Hanit. Kishte qenë mirë nëse mirëmbahet vazhdimisht pasi është një monument tërheqës për turistët dhe me një investim të vogël mund të tërheqim edhe më shumë turistë”, tha rrobaqepësi Jonuz. 

Foto nga Kapan Hani në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Foto: Portalb.mk

Esnafi i Çarshisë, Bujar Dullovi, për Portalb.mk thekson se Kapan Hani, është në pronë shtetërore dhe Bashkësia Fetare Islame është në proces gjyqësor për ta rikthyer pronën e saj. Ai tha se Kapan Hani, është në projekt për ta rinovuar dhe për t’ia rikthyer shkëlqimin që e ka pasur dikur, por deri sa të zgjidhet çështja e pronësisë, nuk mund të investohet asgjë.

“Pa përfunduar çështja e pronësisë në procesin gjyqësor, nuk kemi kompetenca për të ndërhyrë në këtë objekt. Ne kemi marrë disa iniciativa për ta pastruar hapësirën pasi shpeshherë është në gjendje shumë të keqe dhe qytetar të pa ndërgjegjshëm hedhin mbeturina dhe ka qenë një pasqyrë e keqe e Çarshisë ndaj turistëve që vijnë të vizitojnë këtë monument. Ne kemi pasur edhe një takim me BFI-në, që të na mundësojnë t’i rinovojmë dhe t’i rifunksionalizojmë dy tualete publike që t’ju shërbejë qytetarëve dhe turistëve. Por një gjë e tillë nuk na është lejuar, pasi gjykata ka ngrirë aktivitetet shtesë dhe ka vendosur që vetëm veprimtaritë që janë aktive momentalisht të vazhdojnë punën por nuk guxojnë të shtojnë veprimtari shtesë”, tha Dullovi.

Ai shtoi se për momentin Ministria e Kulturës, është fajtori numër një, e cila nuk ka përfshirë ndër vite në projekt renovim apo investim në Kapan Hani, dhe as në pjesë të tjera të Çarshisë.

Foto nga Kapan Ani në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Foto: Portalb.mk
Foto nga Kapan Hani në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Foto: Portalb.mk

Nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit për Portalb.mk, deklaruan se duke marrë parasysh rëndësinë e këtij objekti, si pjesë e Çarshisë së Vjetër të Shkupit, përveç Ligjit bazë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, ai i nënshtrohet edhe Ligjit të veçantë për Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

“Duhet theksuar se si hap i parë në sigurimin e mbrojtjes, promovimit dhe prezantimit të duhur të Kapan Hanit, është duke u zhvilluar një procedurë për miratimin e një Akti për Shpalljen e Monumentit – Kapan Han në Shkup, në Ansamblin Monumental – Çarshia e Vjetër e Shkupit, si trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë, nënkategoria – rëndësi e madhe. Në përputhje me rregulloret aktuale ligjore, kjo është kategoria më e lartë e trashëgimisë kulturore dhe ky akt specifikon të gjitha aspektet e mbrojtjes dhe përdorimit të kësaj të mire kulturore”, thonë nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit. 

Nga Ministria shtuan se në bashkëpunim me institucionin ligjor kompetent, Qendrën e Konservimit – Shkup, Ministria e Kulturës dhe Turizmit do të sigurojë kushte për trajtimin, promovimin dhe prezantimin e tij të duhur.

Portalb.mk iu drejtua me pyetje Bashkësisë Fetare Islame për çështjen e pronësisë, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.

Foto nga Kapan Ani në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Foto: Portalb.mk
Foto nga Kapan Hani në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Foto: Portalb.mk

Në ndërkohë, kryetari aktual i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, pjesë të planprogramit zgjedhor e ka edhe investimin në monumentet e trashëgimisë kulturore brenda Çarshisë së Vjetër, duke përfshirë edhe Kapan Hanin. Por, deri më tani ende asnjë hap nuk është ndërmarrë për të investuar në këtë monument të trashëgimisë kulturore.

E pyetëm Komunën e Çairit se pse nuk është ndërmarrë asgjë në këtë drejtim, nga ky institucion nuk na u përgjigjën.

Ndërkohë, as Ministria e Kulturës dhe Turizmit në “Programin për vitin 2026 për ndërtimin e objekteve të reja dhe për rindërtimin, rehabilitimin dhe përshtatjen e objekteve ekzistuese të përdorura nga institucionet publike në fushën e kulturës”, nuk ka përfshirë asnjë objekt të trashëgimisë kulturore me rëndësi të veçantë nga Çarshia e Vjetër.

Foto nga Kapan Ani në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Foto: Portalb.mk
Foto nga Kapan Ani në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Foto: Portalb.mk

Çarshia e Vjetër e Shkupit si lokacion biznesi daton që nga shekulli XII. Me ardhjen e Perandorisë Osmane në Ballkan, u shndërrua në qendër kryesore të tregtisë së qytetit. Në të ndodheshin xhami, karvansaraje dhe hane.

Gjatë periudhave të ndryshme historike e njëjta u godit nga fatkeqësi natyrore dhe dy luftërat botërore, por me iniciativë të sipërmarrësve që kanë bizneset aty pranë, u rindërtua duke ruajtur autenticitetin, deri në ditët e sotme.

Më 13 tetor të vitit 2008 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u miratua ligj i posaçëm për Çarshinë e Vjetër të Shkupit, si trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë.