Parada e përvitshme në Sheshin e Kuq të Moskës për të kujtuar Ditën e Fitores, mundjen e nazizmit në Luftën e Dytë Botërore, solli një shfaqje të reduktuar të fuqisë ushtarake ruse për shkak të kërcënimit të sulmeve me dronë nga Ukraina.
Në fjalimin e tij, presidenti rus Vladimir Putin krahasoi ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore me konfliktin e sotëm në Ukrainë dhe tha se Rusia do të triumfojë, ashtu si Bashkimi Sovjetik triumfoi në Luftën e Dytë Botërore.
“Bëma e madhe e fituesve frymëzon ushtarët që sot po kryejnë detyrat e operacionit special ushtarak. Ata po i rezistojnë një force agresive që është e armatosur dhe e mbështetur nga i gjithë blloku i NATO-s. Dhe pavarësisht kësaj, heronjtë tanë vazhdojnë të përparojnë”.
Putini u shpreh i bindur për fitoren në Ukrainë, ndonëse fitorja për forcat e Moskës ka rezultuar e pamundur për më shumë se katër vjet, në atë që nisi si operacion special ushtarak tre-ditor.
“Çelësi i suksesit është forca jonë morale dhe etike, guximi dhe trimëria jonë, uniteti dhe aftësia për të duruar gjithçka dhe për të kapërcyer çdo sprovë. Ne kemi një qëllim të përbashkët. Secili po jep një kontribut personal pas vijave të luftës. Jam plotësisht i bindur se kauza jonë është e drejtë, ne jemi së bashku dhe fitorja ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e jona”.
Dikur e përdorur për të shfaqur madhështinë e ushtrisë së Rusisë, përfshirë raketat e saj ndërkontinentale balistike me kapacitet bërthamor, parada e këtij viti nuk pati tanke apo pajisje të tjera ushtarake që të parakalonin në kalldrëmin e Sheshit të Kuq.
Ushtarë dhe marinarë, disa prej të cilëve kanë shërbyer në Ukrainë, marshuan dhe brohoritën ndërsa presidenti Vladimir Putin ndiqte marshimin i ulur pranë veteranëve. Ndërkohë, aeroplanët luftarakë fluturuan mbi kullat e Kremlinit.
Ndërsa Rusia dhe Ukraina akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimeve të njëanshme të shpallura nga secila gjatë ditëve të fundit, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi një armëpushim tre-ditor nga e shtuna deri të hënën, i cili u mbështet nga Kremlini dhe Kievi. Të dyja palët ranë dakord gjithashtu të shkëmbejnë 1,000 të burgosur.
Klan News



