Edhe pse që nga viti 2021 ekziston obligim ligjor, shteti përmes institucioneve nuk ka hapur qendra krize për mbështetje afatgjatë të grave viktima të dhunës seksuale, theksuan nga përfaqësuesit e Rrjetit Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje gjatë një brifingu me gazetare, transmeton Portalb.mk.
Këto qendra duhet të hapeshin nga Ministria e Shëndetësisë, por meqë kjo nuk ka ndodhur në pesë vitet e fundit, Rrjeti Kombëtar do të paraqesë ankesë në Komisionin për Mbrojtje nga Diskriminimi.
“Mosofrimi i një shërbimi të tillë të specializuar, që prek më së shumti vajzat dhe gratë, përbën diskriminim sipas praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në Maqedoni, nga viti 2020 deri në 2024 ka pasur 455 viktima të dhunës seksuale, prej të cilave 90 për qind kanë qenë vajza. Prandaj do të kërkojmë që Ministria e Shëndetësisë urgjentisht ta vendosë këtë shërbim dhe të krijojë një rrjet mbështetës, si dhe të përgatisë një rregullore për koston e këtij shërbimi”, deklaroi avokatja Neda Çallovska.
Në Rrjetin Kombëtar është përgatitur një analizë mbi kostot e shërbimeve të specializuara për viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës familjare, e cila u prezantua para gazetareve. Analiza ka treguar se nuk ndahen fare mjete financiare për të funksionalizuar të gjitha shërbimet që Maqedonia është zotuar t’i ofrojë sipas Konventës së Stambollit dhe legjislacionit vendor.
Në takim u theksua gjithashtu se, përveç mungesës së qendrave të krizës, mungojnë edhe 24 strehimore (shelter), 8 qendra këshillimi, ndërsa linja kombëtare SOS financohet me shumë pak mjete të siguruara nga lojërat e fatit dhe nga komunat.
Analiza ka treguar se, nëse Maqedonia e Veriut do të ofronte të gjitha shërbimet standarde për viktimat e dhunës familjare dhe asaj me bazë gjinore, shteti do të duhej të ndante rreth 0,1 për qind të buxhetit shtetëror në vit.
Çdo vit do të nevojiteshin rreth 6,5 milionë euro për mirëmbajtjen e të gjitha shërbimeve, pasi ato të vendosen, duke marrë parasysh se analiza përfshin edhe strehimoret që aktualisht as nuk janë ndërtuar dhe as pajisur.
Elena Dimushevska deklaroi se analiza tregon se në tre vitet e ardhshme mund të ndërtohet një sistem funksional mbështetjeje për viktimat, por për këtë nevojiten 6,5 milionë euro çdo vit.
“Qendra strehimore duhet të sigurojë akomodim urgjent dhe siguri fizike për viktimën në rrezik, si dhe të parandalojë pastrehësinë. Viktima duhet të marrë strehim, ushqim, higjienë, arsim për fëmijët, ndihmë psikologjike dhe fuqizim ekonomik. Problemi kryesor me strehimoret tona aktuale është se, megjithëse supozohet të jenë në lokacione sekrete, të gjithë e dinë ku ndodhen. Qëllimi i tyre i vetëm tani është të sigurojnë mbrojtjen fizike të grave. Por për shkak se janë në lokacione sekrete, gratë nuk lejohen t’i lënë ato. Kjo do të thotë se nuk mund të shkojnë në punë dhe mund ta humbasin vendin e punës. Duke ikur nga dhuna, gratë humbin pavarësinë ekonomike”, tha Dimushevska.





