Koshta nga Shkupi: Është koha që Maqedonia e Veriut të bëjë hapin vendimtar drejt BE-së

Në Ditën e Europës, Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Koshta në një mesazh drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut inkurajon vendin të bëjë hapin vendimtar për integrim në familjen e madhe evropiane. Pavarësisht se nuk përmendi ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve, krerët evropianë kanë përsëritur vazhdimit se pa përmbushjen e këtij kushti nuk mund të çelen negociatat për grupkapitujt.

“Ne besojmë se e ardhmja juaj është në Bashkimin Evropian. Po bëhet shumë punë që të bëhet realitet. Vendi juaj ka qenë kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian për shumë vite. Është koha të ndërmerren hapat e ardhshëm përpara,” tha Antonio Koshta, President i Këshillit Evropian.

Koshta mesazhe të ngjashme iu dërgoi edhe vendeve të tjera të rajonit që aspirojnë anëtarësimin në BE. Në mesazhin drejtuar Shqipërisë thekson se Tirana ka shënuar progres të madh.

“Shqipëria ka shënuar përparim të konsiderueshëm në negociata gjatë vitit të fundit. Ju inkurajoj të vazhdoni me ritmin e reformave. Së bashku, do të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët europiane,” deklaroi Antonio Koshta, President i Këshillit Evropian.

Dita e Europës shënohet çdo 9 Maj dhe simbolizon paqen, unitetin dhe bashkëpunimin mes vendeve europiane. /Alsat.mk