Për momentin nuk ka avancim të negociatave për përfshirjen e Ziadin Selës në përbërjen qeveritare. Të pyetur nëse janë të pranueshme kërkesat e Selës dhe ASH-së për shtet binacional, për heqjen e termit 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë si dhe për vendosjen të badenterit në Kushtetuese, kryeministri Hristijan Mickoski vendosi t’i shmanget pyetjes.
“Dita është e bukur shihni këtu nuk ka as badenter as Gjykatë Kushtetuese, këtu ka energji shumë të bukur. Lërini politikanët e së kaluarës në të kaluarën”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Të njëjtës çështje nuk deshi ti përgjigjej as njëri nga krerët e VLEN-it, Izet Mexhiti.
Në lidhje me temën një herë a ka?…., tha Mexhiti.
Pavarësisht nëse Sela do të kyçet në Qeveri ose jo, muajt në vijim do të ketë rikonstruim të Qeverisë. Pjesë e saj nuk do të jenë zv.kryeministri Arben Fetai dhe as ministri Fatmir Limani.
“Ne tani jemi të fokusuar te VLEN-i. Sapo ta mbyllim këtë me kryeministrin kryesisht jemi dakorduar se do të ketë rikonstruim të Qeverisë por vetëm parimisht, pra nuk i kemi negociuar as principet as nëse do të ngelim në këto resorë apo do të ketë këmbim të resorëve”, shtoi më tej Mexhiti.
Kreu i ASH-së Ziadin Sela në një intervistë televizive deklaroi se për momentin nuk ka ofertë për hyrje në Qeveri dhe se nuk është në negociata. Sipas Selës, shteti duhet të jetë binacional me rregullim të ri kushtetues duke respektuar të drejtat e të gjitha nacionaliteteve që jetojnë në të . /Alsat.mk





