Gjermania ka hedhur në tryezë një propozim të ri për reformimin e vendimmarrjes në Bashkimin Evropian, duke kërkuar që vendimet e rëndësishme të mos merren më me unanimitet, por me shumicë të kualifikuar.
Një ndryshim i tillë do të kufizonte të drejtën e vetos së shteteve anëtare dhe do të lehtësonte procesin e zgjerimit të Unionit, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainën.
Propozimi u bë publik nga ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, gjatë një fjalimi në Berlin, ku ai argumentoi se mekanizmi aktual i unanimitetit po e bën Bashkimin Evropian të ngadalshëm dhe të paaftë për të vepruar në momente kyçe.
Sipas Wadephul, kalimi te shumica e kualifikuar do të shmangte bllokadat politike nga një shtet i vetëm, duke e bërë më funksional vendimmarrjen brenda bllokut. Megjithatë, ai sqaroi se konsensusi do të mbetet objektivi politik, por jo kusht absolut.
Në praktikë, ky ndryshim do të prekte drejtpërdrejt procesin e anëtarësimit të vendeve të reja, pasi do të eliminonte mundësinë që një shtet anëtar të pengojë zgjerimin përmes vetos. Kjo do të përbënte një lehtësim të madh për vende si Shqipëria dhe partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor, të cilët shpesh janë përballur me pengesa politike gjatë rrugës drejt integrimit.
Ministri gjerman tha se tashmë 12 shtete anëtare janë bashkuar rreth kësaj nisme, duke sinjalizuar mbështetje të konsiderueshme për reformimin e mekanizmit të vendimmarrjes.
Propozimi vjen në një kohë kur Hungaria është përballur me kritika të forta për përdorimin e vetos në çështje të rëndësishme, përfshirë bllokimin e një pakete financiare prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën nga qeveria e ish-kryeministrit Viktor Orbán.
Përveç reformës së votimit, Wadephul kërkoi edhe ndryshime të thella në funksionimin e BE-së, përfshirë një mekanizëm më të fortë kushtëzimi për fondet evropiane, ku ndihma financiare do të lidhej drejtpërdrejt me respektimin e shtetit të së drejtës dhe vlerave themelore të Unionit.
Ai propozoi gjithashtu reduktimin e burokracisë dhe një Komision Evropian më të vogël, duke argumentuar se zgjerimi i ardhshëm i BE-së kërkon institucione më efikase dhe më funksionale.
Sa i përket zgjerimit, ministri gjerman mbështeti një model integrimi gradual, duke argumentuar se anëtarësimi me faza mund të ndihmojë në kapërcimin e rezistencave politike ndaj vendeve kandidate.
Nëse kjo reformë miratohet, ajo mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si funksionon Bashkimi Evropian dhe të shpejtojë ndjeshëm rrugën e integrimit për Ballkanin Perëndimor.



