Mbërritja e një avioni gjigant të tipit Antonov An-124 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ka ngjallur interes dhe shumë pikëpyetje në Kosovë.
Avioni ukrainas, i konsideruar si një nga më të mëdhenjtë në botë për transport mallrash dhe pajisjesh ushtarake, u ul në Prishtinë më 6 maj, por deri tani nuk ka një sqarim zyrtar për misionin apo ngarkesën e tij.
Sipas raportimeve, fluturimi nuk është shfaqur në regjistrat online të fluturimeve komerciale, ndërsa as Aeroporti i Prishtinës dhe as Ministria e Mbrojtjes së Kosovës nuk kanë dhënë informacion zyrtar për këtë lëvizje.
Pamjet e avionit janë publikuar nga fotografë dhe entuziastë të aviacionit, të cilët dyshojnë se fluturimi mund të ketë ardhur nga një bazë ajrore në Gjermani dhe të ketë transportuar pajisje për misionin paqeruajtës KFOR.
Edhe Ministria gjermane e Mbrojtjes ka refuzuar të komentojë drejtpërdrejt mbi fluturimin, por ka konfirmuar se ushtria gjermane përdor shërbimet e kompanisë Antonov për transport ushtarak dhe logjistik.
Antonov An-124 përdoret kryesisht për transportin e ngarkesave të rënda dhe emergjente, përfshirë pajisje ushtarake. Kompania ukrainase operon disa avionë të tillë në bashkëpunim me NATO-n dhe vendet e Bashkimit Europian.
Kjo nuk është hera e parë që një avion Antonov zbret në Kosovë, pasi fluturime të ngjashme janë regjistruar edhe në vitet e kaluara.



