Komuna e Çairit largon veturat nga hapësirat publike

“Me asistencë të shërbimit ‘Merimanga’, Komuna e Çairit gjatë aksionit të djeshëm ka larguar rreth pesë automjete të braktisura në hapësirat publike. Ndërkohë, pas paralajmërimeve dhe njoftimeve të komunës, edhe rreth 40 automjete të tjera janë larguar nga vetë pronarët”, thekson Linda Ebibi Ademi, gazetare

Ndërsa, sot shërbimi për ngritjen e makinave nuk është në terren, me qëllim që tu jepet mundësi shtesë pronarëve që vet ti largojnë ato. Aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

“Pronarëve paraprakisht u është dhënë afat i caktuar për t’i larguar vetë automjetet, me qëllim shmangien e procedurave dhe shpenzimeve shtesë. Automjetet që largohen nga terreni me shërbimin “Merimanga” transportohen në një lokacion të posaçëm, ku pronarët kanë afat të caktuar për t’i tërhequr. Për marrjen e tyre, obligohen të paguajnë tarifat dhe gjobat e parapara”, shtojnë nga Komuna e Çairit.

Qytetarët thonë se aksioni është i mirë, por problematike mbetet mungesa e vendparkimeve.

“Më mirë është mi mbledh, më mirë është për ne, por kur nuk duan ata çka me bë”, deklaroi një qytetarë

“Vende nuk ka, ngushticë e madhe…nuk kanë ku ti lënë, garazhe nuk kanë, për atë arsye nuk kalon puna mirë këtu” tha një tjetër qytetarë

“Sipas meje aksioni është i mirë…. edhe ajo nuk kanë vend ku ti lënë, por edhe janë të pakujdesshëm qytetarët”, shtoi një qytetarë

Komuna e Çairit aksionin e realizon në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike Parkingu i Qytetit dhe shërbimet kompetente. /Alsat.mk