Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar vendimin e Gjykatës Speciale për shtyrjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka qasje në dinamikat dhe zhvillimet e Gjykatës Speciale.
“Sa i përket vendimit të Speciales që të shtyhet për dy muaj nëse s’gaboj vendimi i tyre ne e morëm vesh sikurse gjithë ju për shkak se Qeveria nuk ka qasje në dinamikat dhe zhvillimet që bëhen në Speciale, e cila nuk karakterizohet nga transparenca për vendin tonë. Kosova ka nevojë për gjykata normale e jo për gjykata speciale”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë.
“Lufta e UÇK-së ishte dhe gjithmonë do të kujtohet dhe mësohet në histori si luftë e drejtë, e cila ishte kundër një okupatori, armiku që kishte projekt gjenocidal kundër popullit tonë… Në vend se të kemi gjykata normale kemi një gjykatë speciale, e cila i vonon vendimet. Ne besojmë në drejtësinë e UÇK-së dhe pafajësinë e krerëve të UÇK-së”, ka shtuar Kurti.



