Enti Shtetëror i Revizionit ka publikuar raportin për revizionin e raporteve financiare dhe revizionin e pajtueshmërisë në Ministrinë e Çështjeve Evropiane për vitin 2024, ku janë evidentuar disa mangësi dhe dobësi në menaxhimin financiar dhe administrativ të institucionit, transmeton Portalb.mk.
Sipas raportit, një nga gjetjet kryesore është se vlera e vlerësuar e objekteve ndërtimore e paraqitur në Bilancin e gjendjes më 31 dhjetor 2024 nuk e pasqyron gjendjen reale të pasurisë së Ministrisë. Revizorët kanë konstatuar gjithashtu se gjatë regjistrimit të mjeteve nuk janë përfshirë të gjitha asetet me të cilat disponon institucioni.
Në raport theksohen edhe mospërputhje lidhur me angazhimin e personave me kontratë në vepër, duke ngritur dilema për mënyrën e menaxhimit të këtyre kontratave.
Një tjetër mangësi e evidentuar është mosndërmarrja e aktiviteteve për sigurimin vjetor të pasurisë së Ministrisë nga zjarri, fatkeqësitë natyrore, përmbytjet dhe vjedhjet.
Revizorët kanë konstatuar gjithashtu dobësi gjatë zbatimit të procedurave të prokurimeve publike, duke rekomanduar përmirësim të kontrolleve dhe respektim më të madh të procedurave ligjore.
Enti Shtetëror i Revizionit ka dhënë rekomandime për tejkalimin e dobësive të konstatuara dhe për forcimin e sistemit të kontrollit financiar dhe administrativ në Ministrinë e Çështjeve Evropiane.
Kujtojmë se Enti Shtetëror për Revizion (ESHR) në raportin paraprak konstatoi gjendje që tregojnë për parregullsi dhe mospërputhje në funksionimin e komunës së Ilindenit. Për shkak të rëndësisë së tyre, është shprehur opinion i pafavorshëm për realitetin dhe objektivitetin e pasqyrave financiare për vitin 2024 dhe opinion me rezervë për pajtueshmërinë me rregullativën ligjore, udhëzimet dhe politikat e vendosura për llogarinë e buxhetit themelor (630), dhe opinion i pafavorshëm për realitetin dhe objektivitetin e pasqyrave financiare për vitin 2024 dhe për pajtueshmërinë me rregullativën ligjore, udhëzimet dhe politikat e vendosura për llogarinë e buxhetit themelor (637).



