Rokas: Duhet unitet politik për të ndodhur hapat e fundit për nisjen e negociatave me BE-në

Ambasadori i BE-së në Shkup, Michalis Rokas, u ka bërë thirrje partive politike të Maqedonisë së Veriut, që t’iu japin fund mosmarrëveshjeve midis tyre lidhur me ngërçin e krijuar tashmë e katër vite lidhur me bisedimet për anëtarësim në bllokun evropian.

Rokas ftoi partitë politike të vendit për “pragmatizëm” dhe “unitet” për hapat e kërkuar.

“Maqedonia i përket familjes evropiane, në fakt jemi shumë më afër sesa mendojmë. Unë besoj se ajo që mungon në këtë moment është pak pragmatizëm dhe një dëshirë për unitet në të gjithë spektrin politik për të bërë hapat e fundit përpara drejt BE-së”.

“Bashkimi Evropian ka treguar gjatë gjithë historisë se është një partner i besueshëm kur ka pasur momente krize, kur gjatë Marrëveshjes Kornizë të Ohrit punuam së bashku me SHBA-në për t’i dhënë fund konfliktit, por edhe me Marrëveshjen e Përzhinos”, tha Rokas.

Ai ndërkohë përkujtoi edhe anketat me qytetarët, ku shumica e tyre janë në favor të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

“Ne duhet t’u përgjigjemi aspiratave të qytetarëve, sepse më shumë se 70% e qytetarëve, sipas sondazheve të fundit, tregojnë se qytetarët mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian si e vetmja rrugë për vendin dhe kjo na jep një ndjenjë përgjegjësie”, tha Rokas.