Prokurori publik nga Departamenti për të mitur pranë Prokurorisë Themelore Publike në Shkup sot ka dorëzuar kërkesë për hapjen e procedurës përgatitore te gjyqtari për të mitur në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, ndaj 4 fëmijëve në konflikt me ligjin, për të cilët ekziston dyshim i bazuar se kanë kryer veprime që në Kodin Penal parashihen si vepër penale – Dhunë nga neni 386 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1, transmeton Portalb.mk.
Vajzat e mitura, njëra 17 vjeçe dhe tre të tjera 14 vjeçe, në dy ngjarje të ndara kanë marrë pjesë në akte dhune ndaj një vajze tjetër 13-vjeçare dhe për to procedura zhvillohet sipas Ligjit për drejtësinë për fëmijët.
Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, peshën dhe mënyrën e kryerjes së veprës, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit për të mitur edhe propozim për caktimin e masave të kujdesit për të miturat.
Ndërkohë, lidhur me të njëjtat ngjarje, dje në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup janë dorëzuar gjashtë kallëzime penale sipas nenit 201 të Kodit Penal – Braktisje dhe keqtrajtim i fëmijës, kundër personave që si prindër kanë neglizhuar detyrën e tyre për kujdes dhe edukim, ndërsa si pasojë fëmijët e tyre të mitur kanë kryer vepër penale të dhunës, përkatësisht sulm fizik ndaj një vajze 13-vjeçare në Gjorçe Petrov. Kallëzimet janë shpërndarë dhe po trajtohen për sigurimin e provave dhe verifikimin e pretendimeve në procedurë të rregullt.
Ndryshe, vajza e dhunuar ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe psikiatrike. Kjo, sipas autoriteteve, nuk është rasti i parë i dhunës ndaj së njëjtës nxënëse.
Shkolla e ka raportuar ngjarjen dhe tashmë po ndërmerr masa, ndërsa rasti është raportuar edhe në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
Ministrja, Vesna Janevska, bën thirrje për mbështetje nga prindërit, pasi thotë se institucionet nuk mund të përballen të vetme me këto dukuri.
Kujtojmë se së fundmi janë regjistruar disa raste të dhunës midis të rinjve dhe nxënësve në shkollat e vendit.



