14 vjeçari nga Velesi gjen një shumë parash, por i dorëzoi në polici

Një 14-vjeçar nga Velesi ka treguar ndershmëri dhe përgjegjësi qytetare pasi ka gjetur një shumë prej 46.000 denarësh dhe i ka dorëzuar në polici, përcjell INA.

Rasti ka ndodhur pranë një banke në qytet, teksa i riu ishte duke shkuar në shkollë. Pasi ka vërejtur shumën e parave të humbura, ai fillimisht ka njoftuar prindërit e tij dhe më pas është drejtuar në polici për ta raportuar rastin.

Falë veprimit të tij të shpejtë dhe korrekt, autoritetet kanë arritur që paratë t’i kthehen pronarit të ligjshëm.

Ky veprim është vlerësuar si shembull i përgjegjësisë dhe ndërgjegjësimit qytetar, duke dëshmuar se vlerat si ndershmëria dhe korrektësia mbeten të pranishme edhe tek më të rinjtë.(INA)