Përplasje mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së rreth rrugëtimit eurointegrues dhe procesit të reformave, ndërkohë që po afron 9 maji, Dita e Evropës. LSDM-ja opozitare thekson që përgjigja e vetme pse vendi stagnon është se Evropa nuk mund të pranojë organizatë kriminale, të cilën siç thonë nga partia e Venko Filipçes e udhëheqë shefi i mafies Hristijan Mickoski.
“Bashkimi Evropian kërkon qartë dhe pa asnjë dilemë reforma. Nuk kërkon vetëm ligje formale në letër, por sundim të vërtetë të ligjit, gjyqësor të pavarur, liri të mediave dhe luftë kundër korrupsionit. Pse Maqedonia qëndron në vend? Sepse shtetin e udhëhiq organizata kriminale, në krye të së cilës është shefi i mafies, Hristijan Mickoski dhe VMRO-organizata kriminale. Nga 10 pikat kyçe të reformave që kërkon Evropa, ekziston edhe pika e 11, të cilën Mickoski dhe VMRO asnjëherë nuk do ta përmbushin: Të çlirohemi nga grupi kriminal. Derisa Mickoski dhe banda e tij janë në pushtet, ata nuk munden ta arrestojnë veten”, thanë nga LSDM.
• Maqedonia stagnon, shtetin e udhëheqë organizata kriminale
• Evropa nuk mund të pranojë shtet të udhëhequr nga shefi i mafies, Hristijan Mickoski
Ndërkohë nga VMRO-DPMNE-ja theksojnë që LSDM-ja vetëm me emër është parti proevropiane, pasi të gjithë miqtë i kanë prorus. Sipas VMRO-DPMNE-së së Hristijan Mickoskit, nëse do të ishin proevropian, nuk do t’i demantonin institucionet evropiane vazhdimisht.
“LSDM dhe Venko Filipçe vetë ia vendosin vetes etiketën si opsion proevropian, ndërkohë që miqtë e tyre më të mirë janë Onishçenko, Borçe Markovski dhe Miodrag Davidoviq Daka, biznesmenë prorus. LSDM dhe Filipçe paraqiten si parti proevropiane, ndërsa gënjeshtrat dhe manipulimet e tyre demantohen vazhdimisht nga institucionet evropiane dhe eurodeputetët. Nëse janë vërtet proevropianë, pse Evropa i demanton vazhdimisht? Shembulli i fundit është edhe gënjeshtra për deklaratën e eurodeputetit dhe raportuesit për Maqedoninë, Tomas Vajc. LSDM e spinoi deklaratën e tij, ndërsa ai menjëherë i demantoi dhe theksoi qartë se Maqedonia ka bërë përparim të madh në Agjendën e Reformave”, theksoi Valentin Manasievski, VMRO-DPMNE.
Përplasja për temën në fjalë mes pushtetit dhe opozitës vazhdon tanimë disa ditë me radhë, me pothuajse fjalorin dhe narrativin e njëjtë./Alsat.mk.



