Gjoba deri në 5 mijë euro dhe rregulla të rrepta për pronarët

Me propozim-ligjin e ri për mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve, parashikohen rritje drastike të gjobave dhe rregulla shumë më të rrepta për pronarët e kafshëve shtëpiake.

Sipas ndryshimeve të propozuara, gjobat për personat fizikë rriten ndjeshëm – nga rreth 400 euro për mbajtje dhe shëtitje të papërshtatshme të qenit, deri në 5.000 euro për keqtrajtimin e kafshëve shtëpiake. Gjithashtu, do të ndalohet përjetësisht mbajtja e kafshëve për ata që braktisin kafshën e tyre.

Ndryshimet janë të fokusuara kryesisht në zgjidhjen e problemit të braktisjes së kafshëve shtëpiake, riprodhimit të pakontrolluar dhe tregtisë së tyre, me qëllim uljen e numrit të qenve endacakë.

“Pronarit që braktis kafshën e tij i ndalohet përgjithmonë mbajtja e kafshëve shtëpiake. Ndalohet riprodhimi i pakontrolluar, shitja dhe dhurimi i kafshëve shtëpiake… Ndalohet mbajtja e qenit të lidhur vazhdimisht në zinxhir ose në hapësira të mbyllura pa i mundësuar lëvizje të lirë jashtë të paktën një herë në ditë, për të plotësuar nevojat e tij fizike dhe fiziologjike… Ndalohet trullosja, therja apo ngordhja e kafshëve për qëllime rituale…”, thuhet në një pjesë të ndryshimeve të propozuara.

Propozim-ligji parashikon gjithashtu sterilizim të detyrueshëm për qentë shtëpiakë, si dhe ndalim të shitjes dhe dhurimit të kafshëve nga mbarështues të paregjistruar. Mbarështuesit do të detyrohen të raportojnë te veterineri çdo pjellë të re dhe të deklarojnë kujt i kanë dhënë kafshët.

Një femër (qen ose mace) nuk do të lejohet të ketë më shumë se një pjellë në vit.

“Mbarështuesit e regjistruar të qenve, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji, për një periudhë prej 5 vitesh nuk kanë të drejtë të shumojnë kafshë shtëpiake të pasterilizuara, pra nuk kanë të drejtë për riprodhim të individëve të rinj”, parashikon propozim-ligji.

Parashikohet gjithashtu krijimi i një Qendre për strehim të përhershëm, vendosje dhe ndërmjetësim për adoptimin e kafshëve të braktisura dhe endacake, si dhe sistem për kujdestari të përkohshme, duke futur një koncept të ri trajtimi për kafshët endacake që aktualisht bazohet vetëm në parimin: kap – sterilizo – lësho.