Një anije iraniane që transporton naftë me vlerë rreth 220 milionë dollarë ka arritur të shmangë bllokadën e Shteteve të Bashkuara dhe të mbërrijë në rajonin e Azisë Juglindore, sipas TankerTrackers.com.
Anija, një VLCC (Very Large Crude Carrier) në pronësi të Kompanisë Kombëtare të Tankerëve të Iranit, dyshohet se mbart mbi 1.9 milionë fuçi naftë bruto. Sipas kompanisë monitoruese, ajo është identifikuar me emrin “HUGE” dhe është parë për herë të fundit pranë Sri Lankës më shumë se një javë më parë.
Aktualisht, po kalon përmes Ngushticës së Lombokut në Indonezi, në drejtim të Arkipelagut Riau.
TankerTrackers.com bën me dije se anija ka qenë në ujërat iraniane më 13 prill, pikërisht kur Marina amerikane njoftoi bllokadën ndaj porteve të Iranit. Po ashtu, raportohet se “HUGE” nuk ka transmetuar sinjale përmes sistemit AIS që nga 20 marsi, kur u nis nga Ngushtica e Malakës drejt Iranit. Ky raport vjen në një kohë kur mediat shtetërore iraniane kanë pretenduar se të paktën 52 anije iraniane kanë arritur të thyejnë bllokadën amerikane. Nga ana tjetër, ushtria amerikane ka deklaruar se ka detyruar rreth 41 anije të lidhura me Iranin të kthehen mbrapsht që nga fillimi i bllokadës.

© SYRI.net



