
Sulmet me dronë synojnë të dëmtojnë një nga burimet kryesore të financimit të luftës së Moskës. Megjithatë, rritja globale e çmimeve të naftës dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme po ndihmojnë ekonominë ruse t’i përballojë goditjet. Ndikimi i plotë ekonomik mbetet ende i paqartë, teksa sulmet po prekin gjithnjë e më shumë zonat larg vijës së frontit.
Dronët ukrainas po fluturojnë thellë në territorin rus për t’i goditur objektet e naftës, duke krijuar re të mëdha tymi që mund të shihen edhe nga hapësira dhe duke sjellë shi toksik në destinacionet turistike në Detin e Zi.
Këto sulme synojnë të ulin eksportet e naftës së Moskës, burim kryesor financimi për pushtimin në Ukrainë. Megjithatë, ndikimi ekonomik deri tani mbetet i paqartë, pasi rritja e çmimeve të naftës për shkak të luftës me Iranin, si dhe lehtësimi i disa sanksioneve nga SHBA-ja, kanë ndihmuar në rritjen e të hyrave të Kremlinit.
Gjithsesi, shtrirja e sulmeve dhe ndikimi i tyre në mjedis po e sjellin luftën më afër qytetarëve të zakonshëm rusë, edhe në zona larg vijës së frontit.
Dronët ukrainas kanë goditur rafinerinë dhe terminalin e eksportit në qytetin bregdetar Tuapse në Detin e Zi katër herë brenda pak më shumë se dy javësh, duke shkaktuar zjarre që detyruan evakuimin e banorëve dhe krijuan re të mëdha tymi. Ky qytet ndodhet rreth 450 kilometra larg vijës së frontit.
Në një video të publikuar nga guvernatori lokal Veniamin Kondratyev pas sulmit të tretë më 18 prill, një zyrtar emergjence tha se produktet e naftës ishin derdhur në rrugë, duke dëmtuar makina.
Ukraina njoftoi të enjten se ka goditur edhe një stacion pompimi nafte në rajonin Perm të Rusisë, më shumë se 1.500 kilometra larg Ukrainës, për dy ditë rresht. Mediat ruse raportuan për sulmet, ndërsa guvernatori i Permit, Dmitry Makhonin, tha vetëm se dronët kanë goditur objekte industriale.
Ust-Luga në Detin Baltik, një nga terminalet më të mëdha të eksportit të naftës dhe gazit në Rusi, u godit tre herë brenda një jave në fund të marsit. Terminali ndodhet më shumë se 800 kilometra larg Ukrainës.
Disa javë më vonë, guvernatori rajonal Alexander Drozdenko deklaroi se zona përreth Shën Petersburgut, qyteti i dytë më i madh i Rusisë, është bërë “zonë e vijës së frontit” për shkak të kërcënimeve ajrore.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka krahasuar sulmet me sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë. Ato konsiderohen edhe më të rëndësishme tani që Moska po përfiton nga kriza globale e energjisë, si pasojë e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit nga Irani.
Zelensky tha të premten se Rusia ka humbur të paktën 7 miliardë dollarë që nga fillimi i vitit si rezultat i drejtpërdrejtë i sulmeve ndaj sektorit të saj të naftës. Më herët gjatë javës, ai deklaroi se inteligjenca ukrainase tregon për rënie të eksporteve nga porte të rëndësishme si Ust-Luga dhe Primorsk.
Sulmet me dronë kanë ndërprerë gjithashtu kapacitetet e rafinimit të naftës në Rusi, ndërkohë që sanksionet e bëjnë të vështirë sigurimin e pjesëve zëvendësuese, thonë ekspertët.
Megjithatë, ndikimi i plotë ekonomik mbetet i paqartë, pasi Rusia po përfiton nga kriza në Lindjen e Mesme.
Eksportet ruse të naftës bruto dhe produkteve të saj u rritën me 320.000 fuçi në ditë nga muaji në muaj, duke arritur në 7.1 milionë në mars, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Rritja e çmimeve bëri që të ardhurat nga eksporti i naftës pothuajse të dyfishoheshin, nga 9.7 miliardë në 19 miliardë dollarë. Nuk është ende e qartë nëse sulmet e prillit do ta ndryshojnë këtë trend.
“Sanksionet e SHBA ndaj Iranit kanë shpëtuar sektorin rus të naftës dhe buxhetin federal nga një krizë që po zhvillohej qartë në fund të shkurtit”, tha Chris Weafer, shef ekzekutiv i kompanisë këshilluese “Macro-Advisory”.
Ai shtoi se dëmet ndaj infrastrukturës së naftës në Rusi janë shumë më të vogla nga sa duket në pamjet spektakolare të shpërthimeve.
“Nëse godet një depo nafte, sidomos një që nuk është plot, avujt marrin flakë dhe krijojnë pamje shumë dramatike. Por kjo vetëm sa vonon dërgesat për disa ditë,” tha ai.
“Është shumë më pak e dëmshme sesa goditja e stacioneve të pompimit, kompresorëve apo infrastrukturës së ngarkimit. Dhe duket se këto janë të mbrojtura mirë. Depozitat nuk janë”, ka theksuar Weafer.
Kapaciteti për të goditur infrastrukturën kyçe brenda Rusisë tregon për rritjen e forcës ushtarake të Ukrainës dhe shtimin e presionit mbi Moskën.


