Propozimi iranian i refuzuar nga presidenti amerikan Donald Trump do të mundësonte hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe përfundimin e bllokadës amerikane ndaj Iranit, ndërsa negociatat për programin bërthamor do të shtyheshin për një fazë të mëvonshme, ka deklaruar një zyrtar i lartë iranian për Reuters.
Katër javë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli pezulluan fushatën e bombardimeve ndaj Iranit, ende nuk është arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit që ka shkaktuar ndërprerjen më të madhe të furnizimeve globale me energji.
Sipas raportimeve, Irani ka bllokuar pothuajse të gjithë trafikun detar nga Gjiri, përveç atij të vetin, për më shumë se dy muaj. Ndërkohë, muajin e kaluar, SHBA-ja vendosi bllokadë ndaj anijeve që nisen nga portet iraniane.
Trump deklaroi të premten se nuk është i kënaqur me propozimin e fundit të Iranit, pa dhënë detaje konkrete për pikat që kundërshton.
“Ata po kërkojnë gjëra për të cilat nuk mund të bihet dakord”, u tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Washingtoni ka theksuar vazhdimisht se nuk do ta përfundojë konfliktin pa një marrëveshje që garanton se Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore – një nga objektivat kryesore të deklaruara nga Trumpi kur nisi sulmet në shkurt, në mes të bisedimeve për çështjen bërthamore. Nga ana tjetër, Irani këmbëngul se programi i tij është për qëllime paqësore.
Një zyrtar i lartë iranian ka thënë se Teherani e sheh propozimin e fundit, që parashikon shtyrjen e negociatave bërthamore për një fazë të mëvonshme, si hap të rëndësishëm për të lehtësuar arritjen e një marrëveshjeje.
Sipas këtij plani, lufta do të përfundonte me garanci që Izraeli dhe SHBA-ja nuk do të sulmojnë më. Në këmbim, Irani do të hapte Ngushticën e Hormuzit, ndërsa SHBA-ja do të hiqte bllokadën.
Bisedimet e ardhshme do të fokusoheshin më pas në kufizimet e programit bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve. Irani kërkon që SHBA-ja të njohë të drejtën e tij për pasurimin e uraniumit për qëllime paqësore, edhe nëse pranon ta ndalojë përkohësisht këtë proces.



