Deklarata e raportuesit për RMV-në në PE, Tomas Vaic, përbën një kritikë jo shumë spektakulare, por të qëndrueshme, pasi vendi ynë si aspirant nuk po angazhohet mjaftueshëm në përmbushjen e detyrimeve si: ndryshimet kushtetuese, harmonizimi i ligjeve me ato evropiane, lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit, thotë për TVM2 ish-ambasadori Nano Ruzhin.
Megjithatë, ai një pjesë të fajit ia atribuon edhe Bashkimi Evropian, për shkak se lejon ndërhyrjen e problemeve bilaterale mes shteteve në procesin e integrimit. Sipas tij, këto probleme mund të paraqiten edhe me vende të tjera në prag të integrimit, ndërsa zgjidhja mund të vijë vetëm përmes ndryshimit të mekanizmave politikë vendimmarrës brenda Unionit.
“E gjithë kjo rezulton, nga njëra anë, me një lloj kritike të tërthortë nga raportuesi për shtetin tonë. Shteti ynë dhe kjo qeveri nuk bëjnë përpjekje të mjaftueshme në raport me reformat sipas kritereve të Kopenhagës. Por, njëkohësisht, mund të konstatojmë se disa vende anëtare, sidomos nga fqinjësia, nuk i respektojnë këto kritere, pasi mosmarrëveshjet bilaterale po e pengojnë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjë që është jokorrekte nga ana e Bashkimit Evropian, sidomos në rastin e RMV-së. Zgjidhja do të ishte heqja e instrumentit të vetos, përkatësisht kalimi në votim me shumicë të cilësuar, por për këtë nevojiten ndryshime të thella, për të cilat aktualisht mungon vullneti politik në BE”, deklaroi Ruzhin.
Ruzhin komenton edhe situatën aktuale të politikës së zgjerimit në BE. Sipas tij, aktualisht po aplikohen dy qasje: njëra gjeopolitike dhe tjetra e bazuar në kritere.
“Çfarë do të thotë sot zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor? Përballen dy forma të pranuara të zgjerimit. Njëra është ajo gjeopolitike, e aplikuar për Ukrainën dhe Moldavinë, dhe tjetra është zbatimi strikt i kritereve të Kopenhagës për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky disproporcion ka krijuar frustrim dhe standarde të dyfishta, pra pakënaqësi në rajon”, theksoi ai.
Ndryshe, raportuesi Tomas Vaic, për një media bullgare ka deklaruar se gjatë vitit të fundit në vend nuk është shënuar përparim apo reforma të dukshme. Sipas tij, çështja nuk lidhet vetëm me nisjen e negociatave – që kushtëzohet nga ndryshimet kushtetuese – por edhe me agjendën reformuese dhe Planin e Rritjes.
Ai ka paralajmëruar se, nëse vendi nuk i zbaton reformat e nevojshme, rrezikon të humbasë rreth 47 milionë euro. Më pas, eurodeputeti sqaroi për një televizion vendor se deklarata e tij ishte dhënë disa javë më parë.





