Kallas u bën thirrje vendeve të Azisë Juglindore të kërkojnë alternativa ndaj naftës ruse

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, u ka bërë thirrje të martën vendeve partnere në Azinë Juglindore që të mos i drejtohen Rusisë për furnizime me naftë, ndërsa përpiqen të përballojnë mungesën e përhapur të karburantit të shkaktuar nga konflikti në Lindjen e Mesme.

BE-ja miratoi këtë muaj një raund të ri sanksionesh ndaj Rusisë, përfshirë kufizime më të ashpra në tregtinë e naftës, me qëllim dobësimin e aftësisë së Moskës për të financuar luftën e saj në Ukrainë, raporton Reuters.

Kallas tha se Rusia ka përfituar nga lufta SHBA-Izrael kundër Iranit, e cila ka çuar në mbylljen efektive të Ngushticës së Hormuzit, rruga kryesore e transportit për rreth një të pestën e furnizimeve botërore me naftë dhe mallra të tjera jetike.

“Dua t’ju kujtoj se të ardhurat nga nafta janë ato që Rusia po i përdor për të financuar luftën në Ukrainë. Ne kemi interes që kjo luftë të ndalet”, u tha ajo gazetarëve pas takimit me ministrat e Jashtëm të vendeve të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në Brunei.

“Prandaj ne po inkurajojmë, natyrisht, diversifikimin e burimeve dhe gjetjen e tyre diku tjetër, jo nga Rusia”.

Kallas nuk specifikoi nëse kjo çështje u ngrit gjatë takimit me ministrat e ASEAN-it.

Vendet e Azisë Juglindore, përfshirë Vietnamin, Tajlandën, Filipinet dhe Indonezinë, janë ndër shtetet që po kërkojnë të sigurojnë më shumë naftë nga Rusia, sipas një raportimi të Reutersit muajin e kaluar.