Boksieri shqiptar Kristian Prenga ka dërguar një mesazh të fortë përpara përballjes me Anthony Joshua, duke paralajmëruar se synon të prishë planet e kundërshtarit dhe të befasojë botën e boksit.
“Anthony Joshua është një boksier i madh, por ka bërë një gabim të madh duke më zgjedhur si kundërshtar. Kjo është ndeshja që ndryshon gjithçka, për mua dhe për të”, u shpreh Prenga.
Ai shtoi se nuk ndihet i nënvlerësuar, përkundrazi e sheh këtë si një avantazh: “E di që kanë plane të mëdha pas kësaj ndeshjeje. E di që po më anashkalojnë dhe kjo më pëlqen. Do t’i prish planet e tyre dhe do të trondis botën këtë korrik në Arabinë Saudite.”
Prenga do të përballet me Joshua më 25 korrik në Riad, në një duel që konsiderohet si rikthimi i boksierit britanik në ring, por që për shqiptarin përfaqëson mundësinë më të madhe të karrierës.
35-vjeçari vjen në këtë përballje me një rekord prej 20 fitoresh dhe vetëm një humbje, ndërsa të gjitha fitoret i ka arritur me “knockout”, një statistikë që e bën atë një nga goditësit më të rrezikshëm në peshat e rënda. Humbja e vetme e tij daton në vitin 2017 ndaj Giovanni Auriemma.
Ndër emrat më të njohur në karrierën e tij është edhe Joey Dawejko, ndërsa ndeshjen e fundit e zhvilloi në shkurt, duke fituar që në raundin e parë ndaj Joe Jones.
Megjithëse nuk renditet aktualisht nga organizatat kryesore të boksit profesionist, Prenga ka mbajtur titullin e Shoqatës së Boksit të Amerikës së Veriut (NABA) dhe renditet i dyti mes boksierëve aktivë shqiptarë në peshat e rënda, pas Nelson Hysës.
I lindur në Orosh dhe aktualisht rezident në Shtetet e Bashkuara, Prenga njihet për stilin e tij të gjatë dhe të vështirë për kundërshtarët, duke përdorur mirë gjatësinë dhe distancën në ring.
Përballja me Joshua pritet të jetë testi më i madh i karrierës së tij, por edhe momenti ku ai synon të dalë nga hija dhe të vendosë emrin e tij në skenën ndërkombëtare të boksit.



