SHBA-ja po përgatit plane për ta shkatërruar mbrojtjen e Iranit në Hormuz nëse dështon armëpushimi

Zyrtarët ushtarakë të SHBA-së po zhvillojnë plane të reja për të shënjestruar kapacitetet e Iranit në Ngushticën e Hormuzit në rast se dështon armëpushimi aktual, raportoi CNN-i nga burime të njohura.

Opsionet përfshijnë sulme me një fokus të veçantë në “shënjestrimin dinamik” të kapaciteteve të Iranit rreth Ngushticës së Hormuzit, Gjirit jugor Arab dhe Gjirit të Omanit, thanë burimet, duke përshkruar sulme të mundshme ndaj anijeve të vogla të shpejta luftarake, mjeteve për vendosjen e minave detare dhe aseteve të tjera asimetrike që i kanë mundësuar Teheranit të bllokojë në mënyrë efektive këto rrugë ujore kyçe dhe t’i përdorë ato si levë presioni ndaj SHBA-së.

Shumica e bombardimeve në muajin e parë ishin të fokusuara në caqe larg ngushticës, duke u fokusuar më brenda Iranit. Planet e reja tani fokusohen në fushatë bombardimesh përreth rrugëve ujore kyç strategjike.

Irani po ashtu ka një numër anijesh të vogla që mund të përdoren si platforma për nisjen e sulmeve ndaj anijeve amerikane, gjë që mund të komplikojë edhe përpjekjet amerikane për hapjen e ngushticës.

Sulmet ushtarake përgjatë ngushticës mund të mos e hapin menjëherë ngushticës, sipas burimeve, të cilat thonë se ushtria amerikane po ashtu mund të vazhdojë sipas kërcënimeve të mëparshme të Trumpit në shënjestrimin e infrastrukturës, përfshirë ato energjetike, në atë mënyrë që ta kthejë Iranin në tavolinën e negociatave. Trumpi pati thënë se SHBA-ja do t’i rikthejë operacionet ushtarake në mungesë të një zgjidhjeje diplomatike.

Një tjetër plan që po zhvillohet nga ushtarakët është që të shënjestrohen liderët ushtarakë iranianë dhe të tjerë brenda regjimit të cilët sipas SHBA-së po minojnë përpjekjet për negociata. Këtu përfshihet Ahmad Vahidi, komandant i përgjithshëm i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike.

Në sulmin e kapaciteteve iraniane përfshihet goditja e raketave, lëshuesit e tyre, objektet e prodhimit të raketave, e të tjera.

Marina amerikane ka 19 anije në Lindjen e Mesme, përfshirë dy transportues të avionëve luftarakë, dhe shtatë anije në Oqeanin Indian.