Një ushtar i forcave speciale amerikane, i përfshirë në kapjen e presidentit venezuelas Nicolas Maduro, është arrestuar dhe akuzuar se ka vënë baste mbi atë operacion, duke përfituar rreth 400,000 dollarë, raportoi CNN.
Sipas një aktakuze të bërë publike të enjten, rreshteri i lartë Gannon Ken Van Dyke hapi një llogari në fund të dhjetorit në Polymarket, një nga platformat më të njohura të basteve. Ai vuri bast rreth 32,000 dollarë që Maduro do të largohej nga pushteti deri në janar. Ky ishte një bast me probabilitet të ulët.
Por, sipas prokurorëve, Van Dyke ishte i përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e operacionit “Absolute Resolve” dhe kishte qasje në informacione të klasifikuara para se të vendoste bastin. Fitimet e tij, megjithëse anonime, tërhoqën menjëherë vëmendjen e autoriteteve.
Van Dyke, një ushtar aktiv i stacionuar në Fort Bragg, përballet me pesë akuza penale për vjedhje dhe keqpërdorim të informacionit konfidencial qeveritar, si dhe për mashtrim. Ai pritet të dalë për herë të parë para gjykatës në Karolinën e Veriut.
Ai dyshohet se ka bërë 13 baste nga 27 dhjetori deri më 2 janar, ku basti i fundit është vendosur vetëm disa orë para kapjes gjatë natës. Prokurorët thonë se ai i transferoi më shumë se 400,000 dollarët e fituar në një portofol kriptovalutash jashtë vendit.
“Personat që u besohet ruajtja e sekreteve të vendit kanë detyrimin t’i mbrojnë ato dhe anëtarët e forcave të armatosura, jo t’i përdorin për përfitim personal financiar”, ka thënë Jay Clayton, prokuror amerikan për Distriktin Jugor të New Yorkut.
Pas vendosjes së basteve, ushtria amerikane ndërmori një operacion të fshehtë që çoi në kapjen e Maduros nga pallati presidencial në Caracas gjatë një aksioni nate, mes shkëmbimit të zjarrit. Ai u transportua në New York për t’u përballur me akuza federale për trafik droge. Maduro është deklaruar i pafajshëm.



