Kroacia, interes për prodhimin e dronëve me Shqipërinë

Kroacia shpreh interes për t’u përfshirë në industrinë shqiptare të prodhimit të dronëve luftarakë. Deklarata vjen nga ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anušić, në takimin në Zagreb me homologun shqiptar, Ermal Nufi, ku u ra dakord për vijimin e bashkëpunimit në industrinë ushtarake dhe zhvillimin e teknologjive moderne të mbrojtjes.

“Lidhur me projektet specifike që diskutuam, ato kryesisht kanë të bëjnë me prodhimin e mjeteve ajrore pa pilot, dronëve si dhe sisteme të tjera që përdoren në luftën moderne. Aktualisht Shqipëria po zhvillon dronët e saj në bashkëpunim me disa kompani të huaja. Sigurisht që ka vend edhe për angazhimin e kompanive tona, sepse ne jemi një nga shtetet udhëheqëse brenda NATO s sa i përket prodhimit dhe shpërndarjes së dronëve FPV. Ne do të kemi së shpejti për këtë qëllim një takim mes kompanive shqiptare dhe kroate të mbrojtjes”.

Anušić hodhi poshtë edhe një herë tezën e Vuçiç se deklarata e bashkëpunimit mbrojtës midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës përfaqësonte një lloj aleance ushtarake.

Presidenti Vuçiç deklaroi disa ditë më parë se edhe Serbia po krijon njësi të posaçme të pajisura me dronë sulmues dhe municione endacake. Këtë lëvizje ai e paraqiti si pjesë të transformimit të ushtrisë serbe përballë sfidave të reja të sigurisë në rajon. Sipas raportimeve të Reuters, Serbia synon prodhimin e dronëve luftarakë përmes një partneriteti industrial me kompani izraelite.

Klan News