Në Policinë e Maqedonisë së Veriut u raportua gjashtë raste për dhunë në familje, si rezultat i së cilës u arrestuan dy persona, transmeton Portalb.mk.
“Nëpunës policorë nga SPB Veles e kanë privuar nga liria B.S. (28) nga Velesi, duke vepruar sipas kallëzimit të mëparshëm se në shtëpinë familjare u ka bërë kërcënime prindërve të tij. Ai është ndaluar në stacion policor dhe është njoftuar prokurori publik”, raportoi Policia.
Policia ka raportuar se në Veles u arrestua edhe 44 vjeçari Z.J. nën dyshimet se e ka sulmuar bashkëshorten 41 vjeçare.
Raste të ngjashme ka pasur edhe në vende të tjera. Në Kumanovë një 23 vjeçare e raportoi për dhunë bashkëshortin A.A., sikurse një 45 vjeçare nga Karposhi që ka raportuar bashkëshortin për sulm fizik. Në Kavadar një 42 vjeçare e raportoi ish-partnerin për kërcënim përmes telefonit.
“U raportua se në një shtëpi në zonën e Gazi Babës, më 09.04.2026 një e mitur është sulmuar fizikisht nga nëna e saj K.A., ndërsa më 14.04.2026 është sulmuar fizikisht edhe nga babai i saj A.A.”, raporton Policia.
Sipas të dhënave nga MPB-ja, në një periudhë prej pesë vitesh janë regjistruar madje 26 vrasje të grave. Në vitin 2021 u regjistruan katër vepra penale të “vrasjes”, në të cilat viktima ishin katër gra. Në vitin 2022, u regjistruan dy vepra penale të “vrasjes”, në të cilat viktima ishin dy gra. Vitin pasardhës, ky numër është 9, ndër të cilët njëra nga viktimat ishte një vajzë 14 vjeç. Në vitin 2024, u vranë pesë gra, njëra prej të cilave ishte një vajzë dyvjeçare, ndërsa vitin e kaluar u vranë 6 gra.
Kujtojmë se më 2 mars, nëna Ivana, bashkë me vajzën e saj 6-vjeçare Katja u hodh nga një ndërtesë në Karposh rreth orës 14:00 dhe vdiqën në vend. Pas ngjarjes tragjike të 2 marsit, ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski tha në një konferencë për shtyp se gjatë vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, Ministria e Brendshme kishte regjistruar disa raportime për marrëdhënie të prishura ndërpersonale dhe sulme fizike midis bashkëshortëve. Sipas ministrit, policia veproi në bazë të çdo raporti, por në të gjitha rastet raportet u tërhoqën nga pala e dëmtuar Ivana, e cila për këtë arsye hoqi dorë nga procedurat e mëtejshme.



