Bastisje në veri të Kosovës, policia sekuestron armë dhe municion

Në gjashtë raste të ndara, Policia e Kosovës ka kryer bastisje në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ku ka sekuestruar armatime të llojeve të ndryshme dhe municione. Policia njoftoi se bastisjet u kryen pas informacioneve të marra nga qytetarët.

Në objekte të ndryshime të banuara e të pabanuara u gjetën armë të llojeve të ndryshme e uniforma ushtarake, disa të prodhimit jugosllav. Për të gjashtë rastet, Prokuroria ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale: “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se provat e gjetura dëshmojnë se ka përpjekje për të cenuar sigurinë e Kosovës. Sveçla shtoi se çdo veprim që rrezikon rendin, ligjin dhe sigurisë do të trajtohet pa asnjë kompromis.